Sot, në një 1 Majin e majtë, disa kategori buxhetorësh dolën në protestë, pa qenë në festë, ku veçojnë arsimtarë, duke kërkuar para Ministrisë së Arsimit rritje të pagës.

Duke mbajtur pankarta në duar, të tilla si “Nuk ka arsim cilësor pa mësues të mirëpaguar”, “Shpërblim në fund të vitit për mësuesit”, “Ta bëjmë më tërheqës profesionin e mësuesit”. “Stop burokracive”, ata kërkuan që 5% e prodhimit të Brendshëm Bruto të shkojë për arsimin, një premtim ky i kryeministrit Rama që sipas tyre nuk është mbajtur.

“Mbani premtimin për rritjen e pagave të mësuesve. Duhet dyfishim i pagave në arsim që profesioni i mësuesit të bëhet i kërkuar nga maturantët. Ne e shohim se si shumë degë të mësuesisë janë mbyllur fare, dhe në degët e matematikës, fizikës, kimisë ku numri është shumë i pakët dhe i pamjaftueshëm, shkojnë nxënësit me mesataren më të ulët. Ne kemi kërkuar që buxheti për arsimit të jetë 5% i PBB”, tha një nga mësuesit në protestë.

Ky është ndër ato raste kur 1 Maji në Shqipëri, me trashëgimi komuniste si dite feste e hareje proletare, shfrytëzohet për protesta. /tesheshi.com/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re