Nga: Bledi Shkrepi

Myftinia e Tiranës ka publikuar së fundmi në faqen e saj zyrtare në Facebook nisjen e projektit të antarësimit vjetor për gjithë besimtarët e kryeqytetit me një vlerë monetare 300 lekë të reja.Myftinia është shprehur se ky antarësim është detyrim shpirtëror, moral dhe fetar.U bë kohë që jo pak vëllezër më kanë pyetur rreth kësaj nisme dhe nëse duhet të antarësohen apo jo, ndaj po shfrytëzoj publikimin e myftinisë për ta shprehur publikisht mendimin tim.Përpara se të shpreh mendimin tim rreth nismës së myftinise së Tiranës, dua të sqaroj lexuesit rreth shprehjes së përmendur në njoftim: “anëtarësimi është detyrim shpirtëror, moral dhe fetar”.

Detyrimi fetar i anëtarësimit vjetor referuar njoftimit të myftinisë nuk gjen bazë në Librin e Allahut, as në fjalët e të dërguarit të Allahut alejhi salatu ue selam, as në vendimin unanim të dijetarëve (el-ixhma) dhe as nuk është vendim apo mendim i ndonjë prej shkollave juridike Islame (medh’hebeve).Nëse nisma do të njoftohej dhe do të ftoheshin myslimanët mbi parimin e solidaritetit për shkak të kushteve të veshtira që kalon institucioni, bazën do të gjente në ajete, hadithe dhe tek vendimi unanim i të gjitha medh’hebeve (shkollave juridike Islame).

Personalisht nuk e mbështes këtë nismë të njoftuar prej myftinisë së Tiranës, sepse institucioni i KMSH’së është nën kontrollin e njerëzve të lëvizjes së Gylenit në Shqiperi, lëvizje kjo sa e mbyllur, aq edhe përjashtuese e tjetrit si edhe shumë pak transparente.Do ta mbështesja çdo nismë që do i vinte në ndihmë institucionit të KMSH’së, nëse ky institucion i rëndesisë së veçantë për myslimanët shqiptarë dhe vendin tonë do të ishte në kontrollin, shërbimin dhe përfaqesimin e mbarë myslimanëve shqiptarë, interesave të tyre të përgjithshme dhe të vendit, të përfaqësuar dhe të mbrojtur denjësisht nëpërmjet të zgjedhurve të tyre në mënyrë të rregullt dhe transparente.

Une refuzoj të mbështes një nismë institucionale, për më tepër me karakter financiar në emër të “detyrimit fetar”, nderkohë që institucioni është nën kontrollin e plotë të një xhemati të vetëm që lufton vetëm për interesat e tij dhe nuk shqetësohet për interesin e përgjithshëm të myslimanëve shqiptarë dhe Shqipërisë, cilido qoftë emri i këtij grupimi dhe kushdo e kudo në botë të ishte mbështetësi i këtij grupimi. Dijetar të ndryshëm prej shekujve të parë të Islamit kanë udhëzuar myslimanët që sadakanë dhe çdo kontribut tjetër vullnetar mos e dorzojnë në institucione që drejtohen nga njerëz të padrejtë apo të padenjë, por ta menaxhojnë me pergjegjshmëri në përmbushje të qëllimit dhe objektivit për të cilin janë dhënë kontributet, në mënyrë individuale apo edhe kolektive.

Per sa më sipër dhe më shumë, vlerësoj që myslimanët shqiptarë mos e mbështesin këtë nismë deri në momentin kur KMSH’ja të shkëputet prej kontrollit të këtij xhemati dhe të kthehet në institucionin e mbarë myslimanëve shqiptarë të përfaqësuar nga të zgjedhurit e tyre në mënyrë të rregullt e transparente dhe të cilët do të udhëhiqen nga mësimet e Islamit në përmbushjen e qëllimeve madhore të Islamit dhe interesave të pergjithshme të myslimanëve shqiptarë dhe Shqiperisë.Deri atëherë, myslimanët shqiptarë mos e ndalin aspak kontributin e tyre, përkundrazi, ta shtojnë duke bashkëpunuar dhe mirëorganizuar punët me hoxhallarët e zonave të tyre.

Zoti e lartësoftë institucionin e KMSH’së dhe e bëftë institucionin e mbarë të myslimanëve shqiptarë duke na shërbyer dhe përfaqësuar me dinjitetin e myslimanit krenar!

No photo description available.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re