Dija e tepërt dhe gatishmëria për ta vënë atë në ndihmë të të tjerëve, shpesh mund të të përplasë me telashe të mëdha.

Në fund të muajit prill, Artani* festoi 20-vjetorin e lindjes. Ditëlindjet janë gjithmonë të bukura, por këtë të 20-vjetorit thotë se do ta mbajë mend më shumë jo për kapërcimin e dy dekadave, por për telashet që i mbinë atë ditë.

“Më mori në pyetje policia”, thotë ai në një rrëfim ekskluziv.

Pse-në e shpjegon fill pas kësaj fjalie.

“Ishte hapur një hetim për disa aktivitete të dyshimta online dhe IP-të e mia figuronin te kanalet e komunikimit të personave të dyshuar”, shton ai.

Hetimet lidheshin me grupin e të rinjve që u arrestua dhe procedua me akuzën e mashtrimit kibernetik, pasi dyshohen për përvetësimin e shumave të konsiderueshme të parave, ku vetëm në një kompani celulare, siç njofton policia, dëmi ishte rreth 33 mln lek.

Çfarë e lidhte me këtë grup?

“I njihja pak ata çunat, dy prej tyre i kam pasur në klasë. Më kërkonin ndihmë për zbërthimin e ndonjë algoritmi, apo mënyrën e funksionimit të një programi, a aplikacioni. I ndihmoja me naivitet pa dyshuar në asnjë moment se për çfarë po përdoresha”, rrëfen ai.

Fatmirësisht, ai nuk ishte pjesë e këtij grupi, ndërsa në lidhje me njohuritë që ka mbi programimin, kompjuterin dhe internetin shpjegon se pjesën më të madhe të trye i ka mësuar vetë.

“Kam pasur PC personal në shtëpi që në moshën 12-13 vjeçare. Babai e kishte mbushur me lojëra, por mua nuk është se më tërhiqnin shumë. Më tërhiqet ideja të kuptoja se si funksionon gjërat brenda atij PC dhe sa më shumë mësoja, që më shumë kisha për të mësuar. Kureshtja shtohej vazhdimisht”, thotë ai.

Pasionin e ndoqi edhe në rrugën që përzgjodhi për t’u arsimuar, pavarësisht se prindërit dëshironin që të ndiqte studimet për mjekësi jashtë vendit. Fillimisht u arsimua në një shkollë private teknologjike dhe më pas në një institut teknologjik po privat në Tiranë. Pa mbushur 17 vjeç thotë se për çështje minutash i rrëmbyen një shpërblim të majmë nga Facebook.

“Raportova një bug (problem sigurie) te Facebook. Kishte të bënte me rrjedhjen e të dhënave dhe sa lehtë mund të aksesoheshin ato nga hakerat në internet. Për të njëjtën problematikë kishin raportuar rreth 50 mijë vetë në mbarë botën dhe unë isha i treti në kohë. Shpërblimi i shkoi të parit, që me sa mbaj mend ishte nga Bangladeshi, a Pakistani”, thotë ai.

Na thotë se gjendja e mirë ekonomike e financiare e familjes ja ka hequr gjithmonë mëdyshjet për të vënë ndonjëherë njohuritë që ka për përfitime të paligjshme.

“As që më shkon ndër mend”, thotë Artani.

Sfida e fundit që i ka vënë vetes është të zbërthejë për shqiptarët mënyrën se si funksionon ai që njihet si “Deep Web” dhe “Dark Web”.

“Duken njësoj, por janë dy koncepte të ndryshme. Te i pari janë të gjitha faqet, apo përmbajtja e internetit e indeksuar te motorët e kërkimit, por që aksesohen vetëm me ftesë, ose regjistrim. I dyti është e gjitha bota e internetit e paindeksuar te motorët e komunikimit. Zakonisht aksesohet me Browser (shfletues) TOR. Këtu 50 deri në 60 për qind e përmbajtjes është e jashtëligjshme”, rrëfen ai.

Shpreson që në një të ardhme jo fort të largët të nxjerrë edhe një libër shpjegues për këto dy forma të internetit, me theksin te ndërgjegjësimin e të rinjve për t’u qëndruar larg tundimeve dhe krimeve kibernetike.

Por, ëndrra e madhe është një tjetër.

“Dua të ndjek studime shtesë në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, një prej më të mirëve në botë”, vazhdon ai.

Shënim: Emri Artan nuk është emri i vërtetë i personazhit të këtij shkrimi. Ky emër është vënë nga gazetasi.al pas kërkesës për anonimat prej tij

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re