Jo te gjithë herojtë veshin pelerina, disa prej tyre i bëjnë xhiro qenve. Siç ndodh me John Howarth, i cili ndihmon njerëz në moshë të thyer e të vetmuar, duke i shëtitur kafshët e tyre shtëpiake.
Xhoni shërbeu për 22 vite në forcat e marinës britanike dhe për 13 vitet e fundit, kryen tashmë një tjetër shërbim për komunitetin ku jeton.
Gjithçka ai bën është vullnetare, askush nuk e paguan. Ai vetë kurrë nuk ka kërkuar gjë. Duke folur për median e huaj, Xhon u shpreh:
“Për shumë njerëz që jetojnë vetëm këtu, nxjerrja e kafshëve shtëpiake për një xhiro do të thotë diçka e mirë dhe një kontakt i përditshëm me një njeri. Të gjithë njerëzit janë mirënjohës për këtë ndihmë që u jap, e shumë prej tyre nuk shohin asnjë shpirt njeriu gjatë ditës përveçse meje. Kafshët janë të lumtura kur më shohin dhe unë kur i takoj ato”
E përtej nxjerrjes për xhiro të kafshëve shtëpiake, ky i moshuar është kthyer në një vizitor të rregullt tek shumë persona që janë harruar dhe kanë nevojë për të parë dikë, për të shkëmbyer një fjalë.
E shoqja e 74 vjeçarit, e quajtur Xhini dhe e martuar me veteranin prej 42 vitesh, thotë se ai është “një njeri zemërmirë, dhe për të unë e dy vajzat jemi shumë krenare”.
Para 10 vitesh ky i moshuar kreu një operim në legen dhe thotë se ka ndërmend të vazhdojë me punën e tij vullnetare, derisa ta lënë forcat.
“Kam ndërmend të vazhdoj derisa të kem mundësi, shpresoj që të jem i aftë edhe për disa kohë”