Nëse analizojmë përfitimet nga depozitat e hidrogjenit në Bulqizë, në të njëjtën kohë, duhet parë edhe dimensioni i rrezikut. Hidrogjeni është një gaz shumë i ndezshëm.
Në kushtet e një miniere, ku ventilimi dhe kontrolli janë vendimtarë, çdo grumbullim i pakontrolluar mund të jetë fatal. Prandaj, çdo diskutim për shfrytëzim nuk mund të bëhet jashtë kontekstit të sigurisë.
Studimi: Ne kryem një fushatë eksplorimi në minierën e thellë nëntokësore të kromit të Bulqizës në Shqipëri, ku prania e gazit të ndezshëm u raportua për herë të parë në vitin 1992 në një thellësi prej 620 m. Pas zbulimit të gazit, ndodhën shpërthime të mëdha në vitet 2011, 2017 dhe 2023. Miniera e kromit të Bulqizës është një nga vendet më të mëdha të nxjerrjes së kromit në botë, me një nxjerrje totale prej mbi 20 milionë tonësh xeheror të cilësisë së lartë.
Gjetjet e deritanishme në Bulqizë sfidojnë një bindje të vjetër të industrisë së energjisë, e cila i ka anashkaluar këto zona si të papërshtatshme për shfrytëzim.
“Kjo gjëja që flasim ne, pra hidrogjeni, është një gjë e re e cila nuk shfrytëzohet në asnjë vend të botës. Ka shenja në vende të tjera, në miniera të tjera ku ka krom, kromite në masive ofiolitike. Janë evidentuar edhe më parë, shumë vite më parë, shfaqje të hidrogjenit dhe metanit. E veçanta e Bulqizës është që sasia që është gjetur në Bulqizë është më e madhja deri sot krahasuar me të gjitha vendet e tjera ku është gjetur hidrogjeni dhe metani në botë”, u shpreh Bardhyl Muceku, profesor i Universitetit Politeknik të Tiranës.
Megjithatë, vetë autorët e studimit mbeten të kujdesshëm. Ata theksojnë nevojën për një kuptim më të thellë të faktorëve gjeologjikë që kontrollojnë krijimin, akumulimin dhe lëvizjen e hidrogjenit. Pa këtë njohuri, çdo përpjekje për ta kthyer këtë fenomen në industri mbetet e pasigurt.
