Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), që është shkalla e dytë dhe e fundit e ankimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që shkarkohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të Vettingut do të ketë edhe një tjetër detyrë. Ky institucion që drejtohet nga Albana Shtylla do të jetë edhe gjykatë ku cdo prokuror apo gjyqtar mund të ankimojë masat disiplinore kundër vendimeve të KLP-së apo KLGJ-së.

“Në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është zhvilluar një takim i Kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Albana Shtylla, me Kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Genti Ibrahimi dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani. Takimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjykata disiplinore që do të shqyrtojë ankimet e gjyqtarëve/prokurorëve apo të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndaj vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor apo të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u organizua me qëllim diskutimin e sfidave dhe përgatitjet që këto institucione dhe Kolegji kanë ndërmarrë për procedimet dhe gjykimet e çështjeve të juridiksionit disiplinor” thuhet në njoftimin e KPA-së.

Kryetarja e Kolegjit, Shtylla, si dhe drejtuesit e këtyre institucioneve kushtetuese, gjatë këtij takimi, nënvizuan rëndësinë që ka juridiksioni disiplinor krahas atij të rivlerësimit (procesi i vetting-ut) për kthimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Për këtë qëllim, ata vlerësuan se është e nevojshme që të ndërmerren masa për të parandaluar sjellje abuzive të gjyqtarëve/prokurorëve, si edhe marrja e masave disiplinore nëse vlerësohet se këta janë shkelës të ligjit.

Në njoftimin e zyrës së shtypit theksohet se drejtuesit e institucioneve kushtetuese dhe Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Shtylla e vendosin theksin se procedimet dhe gjykimi disiplinor duhet të zhvillohen bazuar në parimin e procesit të rregullt ligjor dhe parimet e tjera të parashikuara në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Për këtë qëllim, ata u angazhuan për shkëmbimin e informacioneve dhe njohurive për praktikat më të mira ndërkombëtare si dhe jurisprudencën e GJEDNJ-së në lidhje me procedimet disiplinore të gjyqtarëve/prokurorëve.

Gjithashtu, drejtuesit e këtyre institucioneve kushtetuese u angazhuan për një koordinim dhe ndërveprim në të ardhmen ndërmjet tyre si edhe me Kolegjin, si gjykatë disiplinore, sa i përket dokumentacionit që do të shoqërojë një procedim disiplinor të një gjyqtari/prokurori dhe mënyrën e administrimit të tij.

Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Shtylla dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë Metani, i kushtuan një vëmendje të veçantë edhe denoncimeve që paraqet publiku pranë Kolegjit dhe institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), duke u angazhuar që në të ardhmen, të përcaktohen modalitete për përcjelljen e tyre në mënyrë të ndërsjelltë me qëllim vlerësimin dhe gjykimin e tyre në institucionet e rivlerësimit (vetting-ut) apo verifikimin dhe hetimin nga ILD në kuadër të një procesi disiplinor’ mbyllet njoftimi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re