
Kosova është më pranë se kurrë kualifikimit në një turne madhor. Pengesa e parë për në finalet e Botërorit 2026 është Sllovakia, sot në Bratislavë.
Trajneri Franco Foda thotë se do të synojnë të bëjnë atë që kanë arritur më parë në fushë kundërshtare.
“Jemi përgatitur shumë mirë dhe kemi fokus të plotë në anën taktike. Në këtë ndeshje synojmë të tregojmë se mund të luajmë suksesshëm si mysafirë, ashtu siç kemi arritur kundër Islandës, Suedisë dhe Sllovenisë më parë”, tha Franco Foda, trajner i Kosovës.
Më shumë se golin, Vedat Muriqi kërkon fitoren.
“Do të jap maksimumin jo për të shënuar gol, por për të fituar ndeshjen. I dimë pikat e dobëta dhe të forta të Sllovakisë. Jemi në prag të historisë, pasi na mungojnë 2 ndeshje”, tha Vedat Muriqi.
Në rast suksesi me Sllovakinë, Kosova do të luajë për një vend në finalet e Kupës së Botës me fituesin e përballjes Turqi – Rumani.
Dardanëve u mungojnë disa lojtarë, mes tyre kapiteni Amir Rrahmani, i cili është i dëmtuar.



