Skip to content

Johanes Hahn: E kemi obligim ta mbështesim Ukrainën

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Komisionari për buxhet i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, është i bindur se Bashkimi Evropian do t’i ofrojë Ukrainës mbështetjen e nevojshme financiare deri në fund të këtij viti, por u ka kërkuar vendeve anëtare që ta rrisin ndihmën financiare për vitin 2023, pasi “lufta ka shumë të ngjarë të vazhdojë ende”.

 

Kështu tha ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 9 shtator, para një takimi jozyrtar të ministrave të financave të BE-së në Pragë.

 

“Aktualisht, ne po flasim për 5 miliardë si kredi dhe sugjerimi ynë do të ishte që 3 miliardë [euro] të tjera të jenë grante. Kjo është pikërisht ajo që po diskutojmë. Por përsëri, kam besim se ne mund ta ofrojmë këtë mbështetje financiare”, tha ai.

 

I pyetur se a mjafton kjo për Ukrainën, Hahn tha se ndihma e BE-së do të vazhdojë sepse BE-ja e ka obligim këtë.

 

“Deri në fund të vitit, sipas miqve tanë ukrainas, kjo do të mundësonte financimin e nevojave të tyre”.

 

“Por pyetja e vërtetë është se si të financohet Ukraina në rast – dhe ka shumë të ngjarë që të jetë kështu – që lufta vazhdon edhe vitin tjetër. Ne duhet të mbështesim Ukrainën, sepse Ukraina po mbron jo vetëm veten, por edhe ne, vlerat tona. Dhe kjo është arsyeja pse ne e kemi obligim t’i mbështesim ata”, tha Hahn.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 29 gusht, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se Putini ka gabuar duke besuar se Perëndimi nuk do të jetë i bashkuar dhe nuk do ta mbështesë Ukrainën.

 

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën aq sa është e nevojshme”, tha ai.

 

Mbështetje për “aq kohë sa është e nevojshme” kanë premtuar disa herë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./rel

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë