Harroi Shqipërinë në Shkup, por iu kujtua në Beograd. Eurokomisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn u shpreh me tone mjaft pozitive sa i përket çeljes së negociatave të anëtarësimit në vjeshtë.
Zyrtari i Brukseli, gjatë vizitës në Serbi, solli në vëmendje progresin e bërë nga Tirana dhe Shkupi dhe kërkoi që kjo të shpërblehej nga Unioni:
“Kam shumë besim që vendet anëtare të Bashkimit Europian do të japin dritën jeshile në tetor për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Shqipërinë, për hapjen e negociatave të anëtarësimit”.
Fokusi i vizitës së Hahnit ishte natyrisht rifillimi i dialogut Serbi-Kosovë. Zyrtari i Brukselit shpreson që bisedimet për fazën e fundit të pajtimit mes dyja shteteve të rinisin në shtator, pas zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.
“Nuk është mirë të komentoj zhvillimet e brendshme, por situata është e qartë dhe unë shpresoj që zgjedhjet të ndryshojnë situatën politike në Kosovë, të cilat do të na mundësojnë rikthimin në dialog. Për të kërcyer tangon duhen dy veta”, tha Hahn.
Gjatë qëndrimit në Beograd, Hahn u takua dhe me presidentin Aleksandër Vuçiç. Edhe ky i fundit konfirmoi shtatorin si datë për rifillimin e dialogut.