Kryeministri i ri britanik, Boris Xhonson tha, duke paraqitur planet e zhvillimit të vendit të tij pas Brexit, se fakti që Britania po largohet nga Bashkimi Evropian i jep vendit të tij “një mundësi të madhe për të ndryshuar drejtimin e saj ekonomik”.
“Unë besoj se është një shans për të ndryshuar drejtimin që Mbretëria e Bashkuar po merr dhe që do të na bëjë më të mirët në botë për jetën”, tha Johnson në një fjalim në Mançester, në veri të vendit.
“Largimi nga Bashkimi Evropian është një mundësi e madhe ekonomike për të bërë gjëra që nuk mund t’i bëjmë për dekada”, shtoi ai.
Xhonson edhe një herë u zotua të tërhiqte Britaninë nga BE më 31 tetor, me ose pa marrëveshje.
Ai këmbënguli përsëri se marrëveshja që paraardhësja e tij Theresa May kishte arritur me BE, duhet të rinegociohet.
Gjatë një fjalimi në parlament të enjten, Xhonson u dha një ultimatum udhëheqësve të BE-së për të “rishqyrtuar refuzimin e tyre”, pra për të rinegociuar marrëveshjen e tërheqjes britanike.
“Nëse BE nuk do të negociojë përsëri, ne do të shkojmë pa një marrëveshje”, tha Johnson, duke shtuar se përparësia kryesore e qeverisë së tij ishte të përgatitej për Brexit pa një marrëveshje.