Skip to content

Jonaid Myzyri i OBP i jep Klodjan Allajbeut 7 kontrata pa garë me vlerë 2.7 mln euro

klodian myzyraj

Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OPB), që administrohet nga Jonaid Myzyri, ka përfunduar një pjesë të procedurave të prokurimit për furnizimin e spitaleve publike me barna për një periudhë 24-mujore. Sipas të dhënave të publikuara, kompania “Evita”, në pronësi të Klodian Allajbeut, është shpallur fituese e tetë kontratave me një vlerë totale prej rreth 267 milionë lekësh, ose afërsisht 2.8 milionë euro.

Nga këto procedura rezulton se shtatë nga tetë lotet e fituara nga kjo kompani janë zhvilluar me vetëm një ofertues në garë. Procedura B1 kishte një fond limit prej 4.5 miliardë lekësh, të ndarë në 117 lote, ndërsa procedura B2 kishte një fond limit prej 5.9 miliardë lekësh, të shpërndarë në 142 lote, duke përfshirë barna për terapi intensive, sëmundje tumorale, patologji kardiovaskulare, neurologjike dhe infektive. Në procedurën B1, kompania “Evita” fitoi Lotin 5, që lidhet me furnizimin me Sodium Chloride 0.9% (100 ml), me një ofertë që përfaqësonte rreth 99.6% të fondit limit. Sipas dokumentacionit të tenderit, në këtë lot nuk pati operatorë të tjerë ekonomikë pjesëmarrës.

Në procedurën B2, kompania u shpall fituese edhe e Lotit 123, për furnizimin me Tinzaparinë natriumi, me një fond limit prej rreth 1 miliard lekësh të vjetra. Edhe në këtë rast, sipas të dhënave të procedurës, nuk pati konkurrencë nga operatorë të tjerë ekonomikë. “Evita” fitoi gjithashtu lote për furnizimin me Ibuprofen (400 mg dhe 800 mg), Morphine, Glucose 5% dhe Sodium Chloride, ku në shumicën e rasteve rezulton të ketë qenë ofertuesi i vetëm.

Përjashtim përbën Loti 68, për antibiotikun Teicoplanin 400 mg, ku morën pjesë tre operatorë ekonomikë. Në këtë procedurë, “Evita” u shpall fituese me një ofertë më të ulët se fondi limit.
Legjislacioni për prokurimet publike lejon zhvillimin e procedurave edhe me një operator ekonomik në raste të caktuara. Megjithatë, fakti që shtatë nga tetë lotet e fituara nga e njëjta kompani janë zhvilluar pa konkurrencë ngre pikëpyetje mbi nivelin e konkurrueshmërisë në këto procedura dhe mbi efikasitetin e përdorimit të fondeve publike. Klodian Allajbeu është gjithashtu i njohur si përfitues i kontratave të partneritetit publik-privat (PPP) në sektorin e shëndetësisë, përfshirë koncesionet e hemodializës dhe laboratorëve. Këto kontrata kanë qenë objekt debatesh dhe kritikash, lidhur me mënyrën e administrimit të fondeve publike dhe nivelin e konkurrencës në këtë sektor.