Jorgo Goro, kreu i Bashkisë së Himarës, i cili u arrestua të shtunën pritet të dalë sot para Gjykatës. Ndërkohë ditën e djeshme, prokuroria ka nxjerrë pjesë nga dosja hetimore.

Ai akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me pronën ku Artan Gaçi, ishdeputeti socialist dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, po ndërton një investim strategjik në miliona euro. SPAK e akuzon Goron se ka shpërdoruar detyrën në dy episode, në të parin duke shmangur Këshillin e Qarkut për sipërfaqen prej 5512 metra katrorë tokë dhe mbi bazën e dokumentit të tij, toka u regjistrua në Kadastër në kundërshtim me ligjin dhe më pas iu shit nga Stavri Mëhilli ish-deputetit Gaci, me një vlerë relativisht të ulët krahasimisht me tregun.

Stavri Mëhilli e kishte siguruar pronën përmes dokumenteve false e për këtë, ai është shpallur në kërkim, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Kryebashhkiaku në detyrë i Himarës akuzohet edhe për sipërfaqen prej 5080 metra katrorë, që po ashtu në finale ka kaluar në duart e bashkëshortit të Olta Xhaçkës. Në lidhje me këtë sipërfaqe, ai e ka kaluar përgjegjësinë tek Drejtoria e Menaxhimit në tokës.

Goro ka deklaruar para prokurorëve, se thjesht ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni drejtuar Kadastrës së Vlorës pas përpilimit të dokumentacionit nga drejtoria përkatëse. Por sipas SPAK, Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, në atë kohë drejtori i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, pa kryer verifikime kanë përcjellë dokumente të falsifikuara pranë organeve kompetente dhe mbi bazën e tyre, ka bërë të mundur regjistrimin e sipërfaqes prej 5512 m2 tokë bujqësore pronësi shtet në favor të subjektit “Pribta”. Prokuroria thotë më tej së ka kryer veprime faktike në terren të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 5080 metra katrorë duke ia mbivendosur atë një pasurie toke shtet. Goro pritet të dalë për masë sigurie në Gjykatën e Posaçme të martën. Bashkë me të do të njihen me masat edhe Vezir Gjikoka dhe Bilbil Aliaj. Jerasimo Bashi dhe Stavri Mëhilli nuk janë gjetur ende nga policia, ndaj masat e sigurisë për ta nuk janë ekzekutuar.

DËSHMIA E GOROS

Prokuroria e Posaçme ka nxjerrë edhe detaje nga dëshmia e kryebashkiakut të arrestuar, i cili ka deklaruar se ka vepruar për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes palëve. Ai i ka thënë grupit hetimor se ka dhënë vetëm një mendim se ku mund të jetë prona e shtetasit Haris Runa dhe Krenar Adili, me qëllim zgjidhjen e konfliktit. Rezulton se sa është përshkruar në shkresën nr. 731 prot., datë 18.03.2019. nënshkruar nga kryetari i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, e cila ka shërbyer më pas për regjistrimin përfundimtar të pronës, rezulton të jetë rrethanë, e cila nuk përputhet me faktet dhe të dhënat e pasqyruara në shkresat dhe regjistrat e protokollit.

Prokuroria thotë se nga këqyrja në këtë rubrike të regjistrit, ka rezultuar se Këshilli i Qarkut Vlorë nga ana e tij nuk ka kthyer asnjë përgjigje në adresë të Bashkisë Himarë pas administrimit të kërkesës nga kjo e fundit. Për këtë shkak, edhe pas datës 15.04.2023, Bashkia Himarë nuk ka marrë asnjë konfirmim nga Këshilli i Qarkut Vlorë, që lidhet me Formularin nr. 6 apo çfarëdo konfirmim tjetër që ka lidhje me pasurinë për të cilën i ka kërkuar ZVRPP Vlorë regjistrimin. I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi Jorgo Goro shpjegon ndër të tjera se: “…në lidhje me kërkesën me nr. 19555 prot., datë 07.09.2016, nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, Drejtoria e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës ka kryer veprimet e saj për të cilat ai nuk është në dijeni, por thjesht ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni drejtuar Z.V.R.P.P. Vlorë, pas përpilimit nga drejtoria përkatëse. Pra, e gjitha procedura e ndjekur për rastin në fjalë, sipas SPAK, ishte trajtuar nga drejtoria përkatëse e cila ka kryer verifikimet përkatëse dhe nga Bashkia Himarë ishte kthyer përgjigje me shkresë nr. 2751/1 datë 13.09.2016. I pyetur se çfarë bazë ligjore kishte shërbyer për të si kryetar bashkie, për të konturuar pasurinë me numër 36/35, deklaruesi është përgjigjur se ka ndërhyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shtetasve. Kjo kompetencë, sipas deklaruesit, parashikohet në ligjin e vetëqeverisjes vendore dhe konkretisht se në fushën e sigurisë publike, bashkitë janë përgjegjëse për garantimin e marrëdhënieve në komunitet, parandalimin dhe ndërmjetësimin për zgjidhjen e konflikteve ne komunitet.

I pyetur në lidhje me shkresën nr. 2751/1 datë 13.09.2016, nga Bashkia Himarë, drejtuar Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurisë Vlorë, ku është shprehur se në Z.K. 1739-Gilek nuk është kryer procesi i regjistrimit të parë, fillestar sistematik (menaxhim) dhe se nuk dispononte harta treguese të regjistrimit (H.T.R.), duke mos mundur në këtë mënyrë të shprehen për juridiksionin dhe vendosjen e pronave, ndërsa me poshtë është shprehur mendimi se ka mbivendosje dhe se pronat e Haris Runa dhe Krenar Adilit ndodhen në zonë e konturuar me nr. 36/35, shtetasi Jorgo Goro është përgjigjur se ka dhënë vetëm një mendim se ku mund të jetë prona e shtetasit Haris Runa dhe Krenar Adili, me qëllim zgjidhjen e konfliktit. I pyetur nga është nisur për të dhënë një mendim për identifikimin me numër të pronës se shtetasve Haris Runa dhe Krenar Adili, deklaruesi shprehet se kërkesa me nr. 19555 prot., datë 07.09.2016 e Z.R.P.P.

Vlorë nuk parashikon dhënie mendimi për konturimin e pronës se shtetasve Haris Runa dhe Krenar Adilit, po ata si institucion kanë shkuar më tej në përgjigjen e tyre kur kanë dhënë mendim që pronat e këtyre shtetasve konturohen në pasurinë me nr. 36/35. “Gjatë hetimit janë kryer edhe verifikime pranë institucioneve bankare dhe konkretisht, nga verifikimet e kryera pranë bankës ‘Intesa Sanpaolo’ ka rezultuar se shtetasi Stavri Mëhilli disponon llogari bankare dhe nga nxjerrja e llogarisë (lëvizjet) në monedhën ALL (Lekë), rezulton se ne date 27.02.2020, shtetasit Stavri Mëhilli, i janë transferuar/kaluar në llogari shuma 12,677,600 lekë me përshkrimin: “Kalim sipas kontratës nr. 296 rep nr. 171 kol datë 26.02.2020”- thuhet në dosjen hetimore.

SPAK thotë se gjithë skenari i tjetërsimit përsa i takon regjistrimit të sipërfaqes së tokës truall prej 5512 m2 , pronës me dokumente false, ka qenë me qëllim shitjen e saj tek Artan Gaçi. “Rezulton të jetë përdorur nga shtetasi Stavri Mëhilli me qëllim regjistrimin e pronës, shitjen, më pas përfitimin e të hollave sipas çmimit të rënë dakord në kontratën e shitjes me palë blerëse përfaqësuesin e personit juridik, shtetasin Artan Gaçi. Nga ana tjetër, procesi i regjistrimit të pronës në fjalë është mundësuar dhe përfunduar nga veprimtaria e kundërligjshme dhe të pabazuara në asnjë verifikim apo akt zyrtar, si dhe në tejkalim të kompetencave të organeve të qeverisjes vendore, nga funksionarët publikë të Bashkisë Himarë si dhe nga veprimet në kundërshtim me ligin e nëpunësve të ZVRPP Vlorë/ASHK Vlorë”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re