Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka reaguar për takimit që pati sot kreu i këtij institucioni Arben Kraja, me kryetaren e Komisionit Hetimor Parlamentar për inceneratorët.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, SPAK garanton se prokurorët do të kryejnë një hetim të plotë për inceneratorët, pa u ndikuar nga asnjë palë.

Sipas SPAK, do të administrohet çdo provë dhe indicie në lidhje me inceneratorët.

Në lidhje me takimin që Tabaku pati me Krajën gjatë mëngjesit të sotëm, PS ngriti një kallëzim penal për deputeten demokrate, me akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publike dhe shpërdorimit të detyrës.

Njoftimi i SPAK:

Sot me datë 21 Shkurt 2022 Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zhvilloi një takim me zonjën Jorida Tabaku, deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Kryetare e Komisionit Hetimor të ngritur nga Kuvendi për inceneratoret. Takim u zhvillua me kërkesë të zonjës Tabaku.

Prokuroria e Posaçme është e vendosur që të administrojë çdo fakt dhe çdo indicje që lidhet me hetimin e procedimeve penale të regjistruara për çështjen e inceneratoreve, ngado që të vijnë, aq më shumë nga Komisioni Hetimor i ngritur nga Kuvendi.

Nga ana tjetër, sigurojmë opinionin publik se prokurorët janë të pavarur në veprimtarinë e tyre hetimore, në vendimarrjen e tyre dhe do të analizojnë me ligjshmëri, objektivitet dhe paanësi çdo pretendim, indicje apo provë që paraqitet nga të gjithë palet që kanë dijeni rreth procesit për të cilin po hetohet.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re