Demokratët shohin tek vendimi i Gjermanisë për hapjen e negociatave me kushte, skanimin më të saktë të realitetit dhe problematikës në Shqipëri. Anëtarja e kryesisë Jorida Tabaku shpjegon se për herë të parë procesi i negociatave është ndarë në dy faza, dhe faza e parë detyron Shqipërinë që sa më shpejt të ngrejë gjykatën kushtetuese e atë të lartë si dhe të miratojë reformën zgjedhore.

 

Jorida Tabaku: “Ato na kërkojnë që të zgjidhim këto dy probleme së pari, përpara se të vendoset një datë për konferencën e parë ndërqeveritare. Dhe vetëm pasi janë ezauruar këto të dyja, pas konferencës së parë ndërqeveritare ku Maqedonia do të vazhdojë me çeljen e kapitujve, Shqipëria ka 7 kushte të tjera dhe pasi të plotësohen këto 7 kushte atëherë do të kemi mundësinë që të vendosim një datë për hapjen e dy kapitujve 23 dhe 24”.

 

7 kushtet përfshijnë nga përcaktimi i ligjshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit deri tek gjykimi i atyre që akuzohen për blerje votash, duke vazhduar më tëj me funksionimin e SPAK-ut e hetimin e magjistratëve që janë rrëzuar në veting; një panoramë kjo që për demokratët tregon se qeveria është përgjegjësja e vetme për vonesat në rrugën e integrimit.

 

“Çdo vendim dhe çdo hap i cili është i përmendur në mocionin e Bundestagut është vetëm në dorë të qeverisë për tu bërë. Nuk e kanë bërë në 6 vite, është mungesa e vullnetit politik, ashtu siç është mungesa e vullnetit politik për zgjedhjet, për situatën ekonomike, sociale, për kapjen e shtetit; për mungesën e gjykatës kushtetuese.”

 

Nga ana e saj, opozita e ka hedhur tashmë hapin e parë duke u bërë pjesë e procesit të reformimit të kuadrit ligjor për zgjedhjet

 

 “E sigurt është që nuk ka reformë zgjedhore pa PD dhe pa opozitën. E sigurt është që ashtu siç thotë raporti i OSBE-ODIHR, ashtu siç thotë mocioni i Bundestagut gjerman, të gjitha palët politike dhe forcat politike, dhe partitë politike dhe kjo është më e rëndësishme, ato parti politike që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve duhet të jenë ato që duhet të vendosin për këtë reformë”.

 

Tashmë që gjermania e tha fjalën e saj, mbetet për tu parë qëndrimi i Francës për të kuptuar nëse ne 18 tetor Shqipëria do ti hapë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re