Për Jozefina Topallin, as mazhoranca e sotme dhe as opozita me PD e LSI nuk do të arrijnë të marrin më shumë se 70 deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

“Unë nuk besoj se Edi Rama dhe as Ilir Meta me Lulzim Bashën do të marrin 70 deputetë. Asnjëri prej tyre”, tha Topalli për A2.

Më tej, Topalli shprehet se pretendon që Lëvizja për ndryshim, partia që ajo drejton, të jetë faktor. Megjithatë, Topalli theksoi se të gjitha mandatet që ajo do të marrë në zgjedhje do të shkojnë vetëm nga e djathta.

“Kjo do të ndodhë me kushtin që të mos kemi kryeministër të korruptuar. Unë do të doja shumë të kontribuoja të triumfonin mbi varfërinë e sotme, mbi korrupsionin”, tha Topalli.

Pavarësisht të gjithave, Topalli u shpreh Absolut 4 se nuk konsideron asnjë nga liderët politik në vend si armik.

“Nuk kam konceptin e armikut. As Bashën, as Ramën dhe as Ilir Metën, unë nuk i konsideroj armiq. Unë, edhe kundërshtarin politik, me të cilin mund të kemi ide krejtësisht të ndryshme, në qoftë se ai ka integritet, ruaj respektin më të madh. Njeriun me integritet e respektoj”, tha Topalli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re