News 24 ka siguruar dosjen e plotë prej rreth 500 faqesh e Prokurorisë së Posaçme në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.

Në dosjen e siguruar nga gazetari Igli Çelmeta, thuhet midis të tjerash, se biznesmeni Fatmir Bektashi, i vënë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK, ka premtuar dhënien e një pjese të përfitimit që do të realizohej nga shitjet e objekteve që do të ndërtoheshin në territoret e dy klubeve sportive Partizani.

Dhënia e këtij premtimi, mbështetej në kërkesën e realizimit të kthimit të plotë të territoreve si dhe ndryshimin e destinacionit të zonës sportive në zonë banimi, që do të sillte një zhvillim ndërtimi të konsiderueshëm dhe në këtë mënyrë fitim të madh. I vetmi që kishte pushtetin e mjaftueshëm për të kontrolluar të gjithë sektorët ku mund të realizoheshin këto objektiva sipas SPAK, ishte shtetasi Sali Berisha.

Në dosje thuhet se kontaktet për arritjen e këtij qëllimi, janë realizuar nëpërmjet dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi. Për këtë arsye, SPAK thekson se Sali Berisha në detyrën e kryeministrit, rezulton të ketë realizuar përmbushjen e kërkesave, duke pranuar shpërblim nëpërmjet vajzës së tij Argita Malltezi nëpërmjet shtetasit Jamarbër Malltezi.

Nga ana tjetër, Malltezi me anë të korrupsionit pasiv siç pretendon organi i akuzës, nëpërmjet transaksioneve të fshehta, i ka treguar shtetasit Fatmir Bektashi por edhe trashëgimtarëve të familjeve pronare, se që të arriheshin objektivat duhet të bashkëpunonin duke vendosur në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre

Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK tregon një shkresë të datës 23 nëntor 2022 të Xhimi Begejas drejtuar studios Pustina.

Shkresa e Xhimi Begejës: Ju besova verbërisht sepse Gita dhe Abi më garantuan qysh nga dita e ku studio e juaj të jetë garantuesja e ligjore dhe financiare në marrëveshjet e kontratat tona. Nuk kam qenë pengesë në asnjë moment të firmosja vetëm “letër të bardhë” sepse e konsideroja veten turp nëse nuk do ju besoja. Kam përshtypjen se ajo Gocë e Familjes nuk ka pas dhe as ka dijeni për situatën e krijuar tani mes nesh. Unë nuk e kam shqetësuar dhe nuk do e shqetësoj kurrë për hallin e madh që ka zënë, për aq më tepër ne si familje i kemi borxh të madh Familjes Berisha për shqetësimet që i kemi sjellë ku shkaktare është prona jonë…”(shtetasi Xhimi Begeja në këtë letër fjalët “Gocë e Familjes” dhe “Familja Berisha” i shkruan me shkronja të mëdha duke treguar konceptimin që ka ai për pushtetin e familjes Berisha)

Në dosjen e SPAK ka edhe një episod ku midis të tjerash thuhet se Berisha formalisht nuk ka rritur pasurinë e tij për të ruajtur imazhin e një politikani të pa korruptuar dhe se përfitimet kanë kaluar përmes dhëndrit Jamarbër Malltezi, në pasuritë e të cilit sipas prokurorëve, familja Berisha ka pasur akses të vazhdueshëm.

SPAK përmend edhe një rast tjetër, ku shoqëria Homeplan sh.p.k e Malltezit në kuadrin e zgjedhjeve të vitit 2013, ka paguar udhëtimin dhe akomodimin një këngëtari të huaj të ftuar nga Berisha për fushatë.

Pjesë nga dosja e SPAK

Nga tërësia e të dhënave të administruara deri në këtë moment, ashtu si paraqitet e shkruar nëpër akte, duke i lexuar ato në përputhje me njëra tjetrën dhe ballafaquar me ngjarjet reale që kanë ndodhur, vertetohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se shtetasi Fatmir Bektashi ka premtuar dhënien e një pjese të perfitimit që do të realizohej nga shitjet e objekteve që do të ndërtoheshin në territoret e dy klubeve sportive Partizani.

Dhënia e këtij premtimi, mbështetej në kërkesën e realizimit të kthimit të plotë të territoreve, privatizimin e objekteve të ndodhura në të, ndryshimin e destinacionit të zonës sportive në zonë banimi, që do të sillte një zhvillim ndërtimi të konsiderueshëm dhe në këtë mënyrë fitim të madh.

I vetmi që kishte pushtetin e mjaftueshëm për të kontrolluar të gjithë sektorët ku mund të realizoheshin këto objektiva, ishte shtetasi Sali Berisha. Kontaktet për arritjen e këtij qëllimi, dokumentohen të jenë realizuar mes dhëndrit të këtij të fundit, shtetasit Jamarbër Malltezi dhe shtetasit Fatmir Bektashi.

Shtetasi Sali Berisha, nga leximi në tërësi i provave të administruara përgjatë gjykimit, rezulton të ketë marrë përsipër përmbushjen e kërkesave, duke pranuar shpërblimin/mitën që në vijim kalon në bashkësinë ligjore të familjes së vajzës së tij, shtetases Argita Malltezi nëpërmjet shtetasit Jamarbër Malltezi.

Me shkresën e dt. 23.11.2022 drejtuar Studio Pustinës, shtetasi Xhimi Begeja i pakënaqur kur janë ndarë përfitimet është shprehur: ” … Ju besova verbërisht sepse Gita dhe Abi më garantuan qysh nga dita e parë ku studio e juaj të jetë garantuesja e ligjore dhe financiare në marrëveshjet e kontratat tona.

Nuk kam qenë pengesë në asnjë moment të firmosja vetëm “letër të bardhë” sepse e konsideroja veten turp nëse nuk do ju besoja. Kam përshtypjen se ajo Gocë e Familjes nuk ka pas dhe as ka dijeni për situatën e krijuar tani mes nesh. Unë nuk e kam shqetësuar dhe nuk do e shqetësoj kurrë për hallin e madh që ka zënë, për aq më tepër ne si familje i kemi borxh të madh Familjes Berisha për shqetësimet që i kemi sjellë ku shkaktare është prona jonë…”(shtetasi Xhimi Begeja në këtë letër fjalët “Gocë e Familjes” dhe “Familja Berisha” i shkruan me shkronja të mëdha duke treguar konceptimin që ka ai për pushtetin e familjes Berisha).

Ndërkaq, me qëllim ruajtjen e imazhit të një politikani që nuk është pasuruar asnjëherë, shtetasi Sali Berisha, nuk do të rriste formalisht pasurinë e tij, dhe ky përfitim do të kalonte tek shtetasi Jamarbër Malltezi, i martuar dhe si më sipërcituar, në bashkësi ligjore, me shtetasen Argita Berisha, vajzën e shtetasit Sali Berisha.

Siç edhe rezulton nga hetimi, aksesi në pasuritë e shtetasve Malltezi, është i përhershëm nga familja Berisha dhe jo thjesht shfrytëzimi i pasurive të tyre për akomodim por edhe përdorimi i shumave monetare, në vlera që, pasur parasysh nivelin ekonomik të një politikani shqiptare, mbështetur vetëm në pagën e tij, nuk justifikohen.

Megjithatë, siç rezultoi nga hetimi, shtetasi Sali Berisha, ka përfituar avantazhe të drejtpërdrejta, jo vetëm nëpërmjet shfrytëzimit të pasurive të familjes Malltezi, por ai ka përfituar financim nga shoqëria Homeplan sh.p.k në kuadrin e fushatës zgjedhore të vitit 2013, nëpërmjet pagesave që janë kryer, për akomodimin dhe udhëtimin e një këngëtari të ftuar prej tij.

Shtetasi Jamarbër Malltezi duke qëndruar në këtë aktivitet korrupsioni në anën passive, në bashkëpunim me shtetasin Sali Berisha, në pranimin e premtimeve të bëra dhe në vijim siç rezulton nga hetimi, kërkimin e mitës dhe shtënies në dorë të saj, nëpërmjet një sërë transaksionesh, të fshehta dhe kamufluese, i ka treguar që në fillimet e veta shtetasit Fatmir Bektashi por edhe trashëgimtarëve të familjeve pronare, se që të arriheshin objektivat duhet të bashkëpunonin për arritjen e këtyre objektivave, duke vendosur në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre për arritjen e këtyre objektivave, dhe kjo pasqyrohet më së miri në prokurat e lëshuara nga ata.

Por në vijim, pasur parasysh madhësinë e sipërmarrjes së synuar, kontraktimin e shoqërisë Kontakt për zhvillimin e të gjithë trojeve (përveç një pjese ku rezulton shoqëria Eralb sh.p.k.), ka qenë shtetasi Fatmir Bektashi, i interesuar për arritjen e të gjitha objektivave, duke marrë përsipër dhe duke e theksuar thuajse në të gjitha aktet që nënshkruan, kryerjen e shpenzimeve dhe siç rezulton nga hetimi edhe dhënien e përfitimeve/mitës.

Në tërësinë e familjeve të njohura pronare, përveç familjes Begeja, kontaktet mbahen nga shtetasit Fatmir Bektashi dhe personi i shfaqur publikisht tek të tretët, në vend të shtetasit Jamarbër Malltezi, i arritjes së objektivave të kërkuara, shtetasi Xhimi Begeja.

Shtetasi Fatmir Bektashi do të jepte përfitimin e paligjshëm por që të realizonte këtë gjë, duhet të kishte pronat jo vetëm të tijat, por të të pesë familjeve të njohura pronare. Për familjen Begeja, për vënien e tokës në dispoziocion për zhvillimin e ndërtimit, garantues është shtetasi Jamarbër Malltezi, kurse me familjet e tjera pronare, Saliaga, Vaqarri dhe Alimehmeti, kontaktet mbahen nga shtetasi Fatmir Bektashi, me përfaqësuesit e këtyre të fundit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re