Pak më shumë se një vit më parë, një çift francez, braktisi në Berat, e më konkretisht në sheshin përpara Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”, një qen.
Një qen, me të gjithë virtytet dhe veset e sivëllezërve të tij francez, iu shtua lukunisë së të ngjashmëve të tij beratas.
Ndërkohë që qentë beratas në atë kohë dallonin nga vëllai i tyre francez, ata e mirëpritën në gjirin e tyre, duke i bërë të gjithë nderimet dhe respektet, ashtu siç në kësi rastesh e kërkon tradita dhe zakoni.
Loshi, Bjanka… e shumë qen të tjerë anonimë, përveç virtyteve të racës së qenve, mishëronin dhe të gjithë veset e kësaj kategorie: ata kuisnin pa pushim, orë e pa orë…, vend e pa vend…, i turreshin të njohuri e të panjohuri…, ndiqnin fëmijë të vegjël nga prapa…, ndyrnin hapësirat e gjelbra…, nuk mbanin radhë kur një zonjë aty afër i ushqente…, hipnin mbi makinat e parkuara aty rrotull…, ziheshin me qentë e tjerë që dilin xhiro gjatë periudhës së verës… etj.
Vetëm Ai, qeni francez, pra, nuk ndihej…
Ai nuk i turrej kujt, ishte i kujdesshëm me njerëzit, e njohur dhe të panjohur, nuk i ndiqte asnjëherë fëmijët nga prapa, gjithmonë rrinte në fund të rreshtit gjatë sherreve dhe vakteve të ngrënies…, kur e ndillje të vinte duke tundur bishtin…
Ndërsa koha kalonte, qeni francez një ditë u pa të shfaqte të gjithë veset e qenve të tjerë aty rrotull.
Ai e kishte humbur shkëlqimin e lëkurës, ishte bërë i papastër, kuistet më shumë se të tjerët, i turrej të gjithëve dhe, mbi të gjitha, nga fundi i rreshtit, kishte kapërcyer në krye të tij.
…………………………………………………………………….
Komisioni i Vlerësimit të Figurave, teksa mori vesh për të gjithë këto ndryshime të qenit francez, propozoi titullin “Nder i Qenve të Qytetit”./Nga Namir Lapardhaja

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re