Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend.

Berisha tha se qeveria Rama ka vjedhur në 10.1 miliardë euro investime, 50-90 % të tyre.

Ai renditi disa projekte rrugore, ku sipas tij, ka një vjedhje të madhe, pasi në asnjë vend të rajonit nuk ndërtohet me këto çmime për një kilometër katror.

“Është një rast për të shprehur mirënjohjen, si ndaj Komisionit europian, por edhe ndaj taksapaguesve të BE, për fondet për Shqipërinë. Por është edhe një rast për ti bërë thirrje Komisionit Europian që të gjurmojnë çdo qindarkë që shpenzohet në këtë vend, pasi hajdutë si këta qeveritarë nuk gjenden në Europë dhe në botë.

Gjatë 9 viteve janë investuar në punëra të ndryshme dhe shpenzime 1.1 trilionë lekë. Në kursin e sotëm, 10.1 miliardë euro. 10.1 miliardë euro janë vjedhur në masën nga 50 % deri në 90 %. Unë do të jap disa fakte zyrtare për këto vjedhje. Nëse rruga e Arbërit deri tani shkon 11 milionë euro kilometric, në Kroaci, autostrada 27 metra e gjerë, e standartit europian, u ndërtua me 1.5 milionë euro km.

Nëse unaza e Tiranës gjithsej 17 km, ku 7.5 të parat megjithë veprat e artit që kishin, u ndërtuan me 2.5 milionë euro, ju keni ndërtuar zgjerimin te sheshi shqiponja me 24 milionë euro. Po ka në botë hajni si këto mor? Po marr rrugën Kardhiq-Delvinë, 16, 6 km i ndërtuam me kosti 680 mijë euro km. Keni rritur koston nga 30 milionë në 145 milionë. Është ndërtuar një tunel ku janë vjedhur 100 milionë euro. Çfarë bëhet me tunelin e Llogarasë? Ku e keni? Nuk ka në botë hajdutë si ju. Ku e keni rrugën Korçë-Qafë Plloç? 4 kilometra të rrugës Korçë-Kolonjë, nga 4 milionë euro në çmimin më maksimal, po kushtojnë 40 milionë euro. Hajdutë si ju nuk ka toka. Shkoni në Korçë shkoni.

Rruga e Kombit, Hani i Hotit dhe Muriqani, sjellin në Shqipëri 5-60 % të vizitorëve që vijnë në këtë vend. I keni ndëshkuar 10 vite më grykën e shishes Thumanë-Fushë Krujë. Rruga që duhej zgjeruar e para ishte rruga Lezhë-Shkodër. Çfarë keni bërë në rrugën e Kombit? Asnjë metër linear, përveç taksës. Ju sikur pini drogë, më vjen keq që po u’a them këtë.

Po djegësat? Institucionet ndërkombëtare thonë se 90 % janë zhdukur paratë. Ku janë? A e morët vesh që Alqi Bllakon e liruan? E liruan për shkak të Erion Velisë. Dënoj me forcën më të madhe qëndrimin e qeverisë së Ramës për Kosovën edhe në Spanjë. Foli si zëdhënësi i Vuçiçit. Kemi bërë gjithçka për njohjen e Kosovës tha. Një gënjeshtar. Ka dekurajuar njohjen e Kosovës”, ka thënë Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re