Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ka qenë i ftuar ditën e sotme në emisionin “Me Xhaxhiun”, përballë moderatorit Rezeart Xhaxhiu për të folur mbi situatën e diskriminimit në vendin tonë.
Komisioneri Gajda ka etiketuar si dy diskriminuesit më të mëdhenj në vendin tonë shtetin dhe shoqerinë, duke shtuar se gjendja është alarmante.
“Gjëndja është alarmante, sepse grupet më të pamundura diskriminohen nga dy entitet më të mëdha, shoqeria dhe shteti. Shoqeria diskriminon në mënyra të ndryshme. Shpeshherë manifestohet nga gjuha e ndryshme që përdoret nga politikanë, artistë, gazetaria. Ne kemi filluar të monitorojmë komenetet në lajme të ndryshme. Mjafton të shikoni gjuhën që përdoret aty, do të shikoni se aty përdoret nxitje për kryerjen e krimeve të urrejtjes kundër individëve të një komuniteti të caktuar. Komuniteti LGBTI ka pasur kërcënime për jetën, kjo na tregon shumë”, tha ai.
Teksa po fliste për konceptin e shumicës dhe pakicës të lidhura me diskriminimin, Gajda u ndal dhe te një foto e shpërndarë prej faqes së Komisionerit ku duket tabela e një tregëtari që shkruan ‘bostan vetëm për burra’, duke përbërë kështu një diskriminim.
“Kryesisht diskriminimi mbështetet mbi baza shumice dhe pakice. Shumica diskriminon pakicën. Duhet që kuptojmë se shumica dhe pakica janë koncepte relative. Fotoja që shikoni është e një tregëtari që thotë ‘bostan vetëm për burra’. E kemi marrë si shembull për të treguar diskriminimin”, u shpreh Gajda.
Më tej, Komisioneri deklaroi se numri i diskriminimeve në vitin 2021 është dyfishuar krahasuar me vitin 2020. Gjithsesi ai thotë se kjo mbase lidhet dhe me faktin që ishim të mbyllur e më pas rifituam ‘lirinë’.
“Kjo është e vërtetë. Ndoshta viti pandemik mund të ketë frenuar dhe liria që na erdhi sërish mund të ketë ndikuar. Kjo përbën një fakt që na gëzon , se kjo nuk do të thotë se janë rritur rastet, por njerëzit janë bërë më kërkues për të drejtat e tyre. Ky është qëllimi ynë, që t’i tregojë njerëzve. të drejtat e tyre dhe t’ju japë mundësi që t’i gëzojnë. Deri para 10 vitesh rastet në gjykata për diskriminim kanë qenë zero, ndërsa tashmë ka një bum rastesh,” përfundoi ai.
(E.H/Faxweb.al)
…
/faxweb
