Jean-Claude Juncker thotë se një fushatë e vërtetë referendumi nuk është mbajtur kurrë dhe Britania po zbulon tani se çfarë është në rrezik.

Debati në Mbretërinë e Bashkuar për largimin e saj nga BE është ende larg realitetit, tha të hënën Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, duke shtuar se publiku britanik nuk kishte qenë i informuar siç duhet për pasojat e largimit nga BE.

Ai tha se Britania e Madhe nuk e kishte mbajtur fushatë të drejtë mbi referendumin dhe britanikët, si dhe ministra në qeverinë britanike, vetëm tani janë duke zbuluar pikëpyetjet e mëdha që ngre Brexit.

 “Nëse negociatat për transportin ajror nuk kanë sukses, nuk ka avion britanik që mund të ulet në tokën e kontinentit”, tha Juncker.

Sipas tij, Brexit ishte një çështje e së kaluarës dhe ai donte të merrej me të ardhmen e 27 shteteve anëtare të BE.

“Ne jemi në mes të këtyre negociatave të vështira mbi Brexit dhe unë jam për gjetjen e një mënyre të mirë të bashkëpunimit me britanikët si miq. Duhet të tregohemi të civilizuar”, përfundoi Juncker.

Nga ana tjetër, kryeminsitrja Theresa May, tha se sistemi i ri britanik mbas Brexit do të thithë punëtorët më të kualifikuar nga e gjithë bota, përfshirë dhe kontinentin europian.

“Do të jetë një sistem i bazuar në aftësitë, ku punonjësit vlerësohen nga çfarë bëjnë dhe jo nga vijnë”, tha May.

Edhe ajo tha se gjashtë muaj para datës së largimit zyrtar të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian, negociatat midis Brukselit dhe Londrës janë në një rrugë të vdekur.

Nëse dështon, Britania e Madhe mund të përballet me një rezultat pa një marrëveshje, një zgjedhje të re ose një referendum tjetër.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re