Ushtria e Mianmarit, e cila përmbysi qeverinë e zgjedhur të vendit përmes grusht shtetit në shkurt të këtij viti, sot ka shpallur armëpushim njëmujor.

Në një adresim drejtuar kombit, shefi ushtarak gjenerali Min Aung Hlaing tha se ushtria ka shpallur armëpushim të njëanshëm deri më 30 prill në mënyrë që të vazhdojnë bisedimet e paqes me grupet e armatosura etnike në vend dhe për të festuar në mënyrë paqësore festivalin budist Thingyan nga 13 deri më 16 prill, e cila kulmon në Ditën e Vitit të Ri Hënor.

“Sigurimi i rendit publik nga ushtria kundër veprimtarive që prishin funksionimin e qeverisë është jashtë armëpushimit”, tha ai, duke theksuar një përjashtim nga armëpushimi.

Ndërkohë, Ushtria e Pavarësisë Kachin (KIA), një grup i armatosur etnik anti-grusht shtetit, mori një stacion policie në një rreth të shtetit Kachin.

Duke folur për operacionin, zëdhënësi i KIA tha se gjatë një operacioni të mesnatës arritën të marrin stacionin e policisë me rëndësi strategjike për ushtrinë e Mianmarit në rrethin Kyaukgyi.

Duke theksuar se ushtria ka përdorur stacionin e policisë për disa kohë, ajo nuk zbuloi informacione rreth viktimave gjatë operacionit.

Grupet e armatosura etnike të KIA-s dhe Unionit Kombëtar Karen kanë njoftuar se do të mbrojnë protestuesit kundër puçistëve.

Ushtria Arakan (AA), Ushtria Çlirimtare Kombëtare Ta’ang (TNLA) dhe Ushtria e Aleancës Demokratike Kombëtare Mianmar (MNDAA), e cila nënshkroi një armëpushim me ushtrinë në vitin 2018, njoftoi të martën se do të prishnin marrëveshjen nëse ushtria nuk ndalon dhunën e saj ndaj protestuesve.

Më 1 shkurt, ushtria e Mianmarit rrëzoi qeverinë e zgjedhur të Aung San Suu Kyi. Si përgjigje ndaj grusht shtetit, grupet civile në të gjithë vendin filluan një fushatë të mosbindjes civile me demonstrata masive.

Të paktën 536 demonstrues e kanë humbur jetën në ndërhyrjen e armatosur nga forcat e sigurisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re