Ish-trajneri i Shqipërisë U-21, Redi Jupi, foli në një lidhje direkte me Skype me emisionin Studio Sprint, në ABC News. Në fjalën e tij, ish-futbollisti i njohur tha se duhet të përfundojë sezoni në Superiore me çdo kusht, edhe nëse nuk ka aspak diferencën me fillimin e sezonit të ri 2020-21.

SITUATA – “Keq, në fakt keq. Çdo ditë çohemi me shpresën që miq, njerëz, dashamirës, por dhe të panjohur, të mos jenë të prekur, por të shëruar, dhe sa më shpejt të dalim nga kjo “ëndërr e keqe”. Është me të vërtetë një situatë shumë serioze”.

EKONOMIA – “Gjithmonë e kemi pas kthyer kokën nga shteti, nga qeveria. Sporti në përgjithësi, është një sektor i ekonomisë që e ka shumë të vështirë të mbijetojë me vetë-financim. Unë nuk kam shpresa me situatën që është, që shteti do të merret me problemet që ka sporti. Mbase është moment reflektimi për të gjithë, që kur të kthehemi në normalitet, të bëjnë diçka për ne. Por shpresat që të ndërhyjnë tani, janë shumë të pakta”.

KRAHASIMET – “Nuk janë dy situata të ngjashme. Në kampionatet tjera, po flasim për situata ekonomike shumë të favorshme, ne nuk jemi në ato kushte. Të gjithë janë në gripin e mbijetesës, nuk flitet për njerëz që paguhen shumë dhe të kenë rezerva për të mbijetuar pa rrogë. Futbolli ynë ka probleme të ekzistencën momentale, jo më për të ardhmen. Në këto kushte është futbolli shqiptar, në minimumin jetik”.

SEZONI – “Unë në fakt, mendoj se sezoni duhet të përfundojë në çdo mënyrë, por pa rrezikuar jetë njerëzish. Skenari që unë kam në mendje, që është skenar optimist, është që në një periudhë të caktuar, mbase dhe pas dy muajsh, të ketë një hapje graduale të fillimit të aktivitetit. Për mua, kampionati të mbarojë, nuk ka rëndësi, të mbarojë dhe në shtator dhe të shtyhet sezoni tjetër. Por kampionati duhet të mbarojë, është bërë 75% e garës, nuk hidhet poshtë. Pushime këtë vit nuk kemi, po i bëjmë tani. Sezoni duhet të mbarojë edhe në kurriz të sezonit tjetër, pasi ne e kemi luksin. Edhe në kurriz të Europianit, pasi nuk e kemi detyrim. Kështu që duhet të bëjmë të pamundurën që të luajmë të dy sezonet dhe t’i japim një formë të pranueshme. Si ekipet që luftojnë për titull, si për Europën, si për mbijetesën dhe ata që ngjiten lart. Unë nga natyra jam ekip optimist dhe do e shikoja pak më të shpejtë rikthimin e normalitetit”.

PËRGATITJA – “Të gjitha ekipet, të gjithë lojtarët, do të duan një mini-fazë përgatitore, të paktën një periudhë 10 ditore. Por e mira është që të gjitha ekipet janë në të njëjtat kushte, nuk ka asnjë diferencë. Të gjithë do të jenë të pastërvitur, mendoj se me një periudhë 10 ditore është e mjaftueshme. Na ra në kokë kjo tani, ishte një vit i mallkuar në të gjitha aspektet, tërmeti, pandemia. Përveç problemeve që ne kemi, që jemi të sëmurë kronikë, futbolli ynë është i sëmurë kronik. Nëse shohim dritë jeshile, sezonin ta mbyllim me çdo kusht. T’i harrojmë pushimet, të bashkohen edhe sezonet. Duhet sakrifikuar edhe cilësia. Mund të mbarojë në tetor sezoni dhe sezoni tjetër të fillojë pas një jave”, tha Jupi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re