Albanian ICT Awards, gara mbarëkombëtare e mendjeve të ndritura në teknologji, informacion dhe komunikimi, po shkon drejt finalizimit të edicionit 7-të të një rrugëtimi plot emocion.

Me vetëm 12 ditë nga Mbrëmja Gala e cila çdo vit kulmon me shpalljen e fituesve në shtatë kategori, ICT Awards kërkon identifikimin e udhëheqësve të së ardhmes.

Pas takimit të parë të jurisë i cili mbajt në Tiranë më 31 Mars ku u firmos Deklarata e Konfidencialitetit dhe Rregullorja e ICT Awards, si dhe u përzgjodhën Kryetari Dr. Ilir Çapuni dhe Zv Kryetarja Prof. Asoc. Dr. Alda Kika, paneli prej 13 anëtarësh u mblodh për herë të dytë ku dhe përzgjodhi listën e ngushtë të kandidatëve të cilët do të prezantojnë përpara saj në datat 20 dhe 21 Prill.

E kthyer në një traditë që nga edicioni i kaluar si pjesë e karakterit mbarëkombëtare që kjo garë bart, juria e ICT Awards mban takime në Tiranë dhe Prishtinë përpara shpalljes së fituesve.

Ditën e Premte më 19 Prill ajo do të udhëtojë drejt Prishtinës e ftuar në një darkë nga Ministri i Inovacionit në Kosovë. Të Shtunën më 20 Prill kandidatët e përzgjedhur të listës së ngushtë nga Kosova, Kosova Lindore dhe Maqedonia do të prezantojnë projektet e tyre përballë jurisë në Prishtinë.

Më 21 Prill radhën e kanë kandidatët e listës së ngushtë nga Shqipëria dhe Mali i Zi si dhe diaspora e cila do të prezantojë projektet e saj online.

Juria e këtij edicioni përbëhet nga: Prof. Asoc. Dr. Alda Kika, Altin Petre, Azir Aliu, Bardha Qirezi, Edison Sinani, Edlira Martiri, Edmond Hajrizi, Erion Serti, Gjergji Guri, Dr. Ilir Çapuni, Linda Shomo, Muhedin Nushi dhe Visar Jasiqi.

Anëtarët e jurisë janë plotësisht të pavarur nga organizatorët e kësaj gare dhe angazhuar vullnetarisht me rregullore strikte. Ajo përfaqësohet nga njerëz të profileve të ndryshme të shoqërisë, përfaqësues institucionesh publike, universitete, njerëz të shkencës, biznesit, ekspertë, brenda dhe jashtë kufijve kombëtarë.

Edicioni i 7-të hapi dyert në Tiranë më datën 6 Shkurt për ti paraprirë turit të takimeve informative organizuar në shkolla, universitete, qendra dhe hapësira inovacioni në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Tetovë, Vlorë, Pejë, Prizren, Preshevë, Lezhë, Ferizaj dhe Mitrovicë.

U prezantuan shtatë kategoritë e vlerësimit: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje, Gruaja në ICT, ICT Shërbimi Publik i Vitit dhe Cyber Security.

U organizuan mëse 25 takime me nxënës, studentë, entuziastë të teknologjisë, profesionistë të fushës, udhëheqës biznesesh dhe mbarë komunitetin e teknologjisë në trevat shqiptare.

Pranë ICT Awards mbërritën 110 aplikime deri më 30 Mars kur ishte edhe afati i fundit. Më 31 Mars në Tiranë u mblodh për herë të parë juria

Që nga edicioni i parë deri tek i gjashti Albanian ICT Awards i është besuar administrimi dhe vlerësimi i mëse 1,000 projekteve të ndryshme.

më shumë informacione rreth garës, kategorive të vlerësimit dhe zhvillimeve më të fundit ju ftojmë të ndiqni faqen zyrtare www.ictawards.org ose faqen në rrjetin social Facebook

Rreth ICT Awards VII

Ky eveniment, unik për nga karakteri dhe dedikimi, ka për synim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të dalluar , udhëheqësve të suksesshëm të bizneseve, inovatorëve, akademikëve dhe të rinjve entuziast në fushën e ICT-së, puna e së cilëve përgjatë 2018-tës ka përmirësuar apo ndihmuar pozicionin e TIK-ut Shqiptar në rajon ose botë, si dhe ka kontribuar drejt zgjerimit të sektorit biznesor të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Rreth ICTSmedia

ICTSmedia si një shtëpi botuese dhe lider në median e ndërlidhur me Teknologjinë e Informacionit, Komunikimit dhe Sigurisë (ICTS), kësaj radhe prezanton edicionin e 6-të vjetor kombëtar të evenimentit shpërblyes “Albanian ICT Awards VII” (ose “TIK Shpërblimet Shqiptare 7”).

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re