Vendimi i marrë nga Komisioni i Posaçëm të Apelimit për shkarkimin nga sistemi i drejtësisë është kontestuar nga anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi pasi e ka interpretuar si të paefektshëm, për shkak se nuk e konsideron veten si prokuror, e ka ndërruar status duke marrë rolin e gjyqtarit.

Një interpretim që ngriti pikëpyetje për natyrën e vendimit të KPA-së që cilësohet si shkalla finale e procesit të Vettingut. Gazeta Si kontaktoi disa ekspertë dhe konstitucionalistë në lidhje me qëndrimin e mbajtur nga Besnik Muçi, nëse i “shpëton” ose jo përjashtimit nga sistemi i drejtësisë ose jo.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani e cilëson si të përjashtuar nga sistemi i drejtësisë Muçin, ndërsa shton se i vjen keq për reagimet e mbajtura për cilësim si “nul” të vendimit të KPA-së. Ai është edhe kundër qëndrimit të mbajtur nga Arta Vorpsi, apo veprimit të saj të betimit përpara noterit.

“Më vjen keq që dy juristë Besnik Muçi dhe Arta Vorpsi japin një model dizintegriteti profesional, pas kaq viteve përvojë në sistemin e drejtësisë. Janë të dy juristë shumë të mirë, por që e shumëzojnë me zero nga këto qëndrime aspak dinjitoze.

Njëra betohet te noteri, a thua se e ka blerë emërimin, tjetri bën lojëra fjalësh me vettingun si prokuror e jo si gjykatës, a thua se nuk është i njëjti person! Sinqerisht jam i keqardhur!”, shprehet Manjani për gazeta “Si”.

Ish-ministri i Drejtësisë ndan mendimin se ky proces i vettingut me dy standarde do e çojë vendin në një situatë kolapsi.

“E kuptoj që kjo kohë që po kalojmë nuk është një situatë normale, që politika i mori frymën këtij vendi, që debati publik është i keqorientuar dhe shpesh përfundon në fajësi të viktimës, ose në fyerje e shpifje nga më të rëndomtat. E kuptoj gjithashtu se Vettingu ka legalizuar 2 e më shumë standarde.

Ashtu siç kuptoj (e kam paralajmëruar që herët) se po çojmë vendin në kolaps gjyqësor me reforma të pastudiuara mirë. E kuptoj që politika e do drejtësinë në duart e saj. Por integriteti personal e profesional nuk ka lidhje me këto gjëra. Atë, nëse e ke duhet ta tregosh”, thekson Manjani.

Juristi Sokol Hazizaj shprehet për gazeta “Si” vendimi i KPA-së e përjashton Muçin, pasi ai është edhe në rolin e magjistratit dhe kjo sipas tij është pasoja e vendimit final të procesit të vettingut.

Më i ashpër në qëndrimin e tij është juristi Jordan Daci, i cili thekson se nëse Muçi sillet në këtë mënyrë i rëndon pozitat e veta dhe madje mund të ketë pasoja penale.

“Vazhdimësia e vendimit është më se logjike, normalisht. Në këtë rast janë parimet e së drejtës, për mua ai është i shkarkuar, pastaj nëse ai e njeh ose jo është punë tjetër dhe jemi vendi i çudirave.

Ka një vendim të KPA ai është në fuqi dhe nuk ka kush e zhbën, çështja e zotit Muçi është mbyllur përfundimisht, nëse nuk do ta zbatojë i rëndon pozitat e tij dhe do t’i krijonte probleme të tjera.. Fatkeqësia është se ai nuk duhet të ishte aty fare në garë si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ky është faji i KED-së”, theksoi Daci për Ora News.

Ai hodhi poshtë qëndrimet e mbajtura nga Muçi, që vendimet nuk e prekin si anëtarë gjykate. “Vendimmarrja e KPA është jashtë juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese. E kundërta e qëndrimit të Muçit është se vendimi është jashtë juridiksioni ,por jo anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Jemi në një situatë ky të gjithë mekanizmat në vend nuk e zgjidhin krizën”, thekso Daci.

Sekretari i Çështjeve Ligjore të PD-së, Çlirim Gjata në një intervistë televizive u shpreh se “nuk ndërhyj te qëndrimi i Muçit . Kur një jurist shkarkohet nga Vettingu ai ndodhet në kushtet e pazgjidhshmërisë.

Ky është pjesë e trajtimit të KED-së se si do të veprohet. Nuk trajtohet ashtu siç thotë maxhoranca. Ata punojnë me lugetër, me shejtanë me shtriga me fshesë. Dy institucione kanë ngelur në Shqipëri kryeministri dhe presidenti”.

“Nuk komentojmë asnjëherë vendimet e institucioneve të vettingut, sidomos kur janë për shkarkimin. Ajo që kemi kontestuar janë vendimet e KPK, shkalla e parë. Vendimet e rikonfirmimit të detyrë, kemi kontestuar ato vendime që kanë qenë në standard të dyfishtë.

Rasti flagrant ka qenë për Dvoranin, ku KPK megjithëse nuk justifikonte 90 mijë euro inspektori nuk bëri as ankimim. Apo Donika Prela. I vetmi moment kur kemi kontestuar vettingun ka qenë standardi i dyfishtë në shkallën e parë të Vettingut”, theksoi Gjata.

Loja nga e para për Kushtetuesen

Shkarkimi i Muçit tashmë ka rikthyer sërish krizën në Gjykatën Kushtetuese. Tashmë procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të nisë nga e para. Ndërsa edhe Marsida Xhaferllari është në proces vettingu.
Kjo do të pasohet me një zgjatje të procesit të plotësimi të Gjykatës, pasi aktualisht ka katër anëtarë. Ky kaos është paralajmëruar edhe nga vetë ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

“As 24 orë nuk kaluan nga çfarë paralajmërova dje. Republika e Ambasadorëve të Shqipërisë është pa Gjykatë Kushtetuese! Premtimi që “do ta bëjmë gjykatën brenda këtij viti”, ra. Më e tmerrshmja nuk është kjo, por shumë shpejt nuk do ketë më gjykata apeli. Domethënë nuk do të ketë më asnjë vend për zgjidhje mosmarrëveshjesh sipas ligjit. Vendi po shkon drejt kaosit të vetëgjyqësisë!!! Fajin e ka Macroni…”, shprehet Manjani.

Ndërkaq procesi do të zgjatet edhe nga fakti se Partia Socialiste do t’i drejtohet komisionit të Venecias për interpretimin e vendimit të Metës për të dekretuar Marsida Xhaferllarin si anëtarë, në një kohë që maxhoranca pretendon se duhej të jetë Arta Vorpsi. Një ngërç pa fund që më shumë lë Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese dhe do të zgjasë mbase edhe më tej vendimin e mazhorancës socialiste për shkarkim të Metës nga posti i presidentit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re