Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës, që mbahet në “sirtar” prej më shumë se një viti nga PS në Kuvend, ka përplasur maxhorancën dhe opozitën në Konferencën e Kryetarëve.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka kërkuar gjatë mbledhjes pa media te Konferencës së Kryetarëve që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe çështja të kalojë në Kuvend, duke shtuar se maxhoranca ka nxjerrë justifikime absurde nga janari 2023 deri më sot.

Ai theksoi se PS kërkon të zvarrisë çështjen, duke e kthyer edhe njëherë tek Këshilli i Mandateve, kur “vendimet e këtij Këshilli kanë qenë subjekt i shqyrtimit ne Kushtetuese”, u shpreh Bardhi.

Ndërsa kryeparlamentarja Lindita Nikolla deklaroi gjatë mbledhjes se Këshilli i Mandateve do të mblidhet të hënën (8 prill) dhe do të vijohet me procedurën.

Bardhi: Të kujtoj se mos zbatimi i vendimeve te Gjykatës Kushtetuese, përbën vepër penale. Në shkelje të Kushtetutës ju si kryeparlamentare dhe si maxhorancë po refuzoni të zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Keni nxjerr justifikime absurde nga janari i vitit 2023 e deri më sot. Kjo praktikë e Gjykatës Kushtetuese, është praktikë e njohur, por ju bëni sikur nuk e kuptoni dhe e zvarrisni. Doni ta ktheni edhe një here tek Këshilli i Mandateve ku vendimet e këtij këshilli kanë qenë subjekt i shqyrtimit ne Kushtetuese.

Nikolla: Të hënën do të mbledhim Këshillin e Mandateve për këtë çështje për të vijuar procedurën.

Bardhi: Procedura thotë se çështja do të duhet të vijë në Kuvend. Por ju kërkoni ta zvarrisni..

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re