Mbrëmjen e sotme luhen ndeshjet e kthimit dhe të fundit për fazën “play off” të Champions League, ku do të përcaktohen katër skuadrat që kalojnë më tej, mes 16 më të mirave.

Juventusi ka një mision shumë të vështirë në shtëpi ndaj Galatasaray. Pas humbjes 5-2 në Turqi, italianët do të tentojnë përmbysjen e madhe, me mbështetjen e tifozëve të tyre.

“Zonja e Vjetër” po kalon një moment krize sa i përket rezultateve, prandaj pritet kthesa e madhe.

 

Ndeshje spektakolare pritet të jetë ajo mes Real Madrid dhe Benficas. Spanjollët fituan minimalisht në ndeshjen e parë, falë golit të Vinicius në Portugali.

Ngjarjet e ndodhura në “Da Luz”, ku braziliani akuzoi për racizëm, e kanë ndezur edhe më shumë duelin.

Benfica duket në një mision delikat, por portugezët shpresojnë të përsërisin ndeshjen e pak javëve më parë, ku fituan 4-2 në fazën e ligës.

Në “Bernabeu”, pritet një ndeshje spektakolare dhe shumë e luftuar, ku kualifikimi është totalisht i hapur.

Kampionët në fuqi të Paris Saint-Germain presin në shtëpi Monacon. Parisienët triumfuan 3-2 në ndeshjen e parë me përmbysje dhe shihen favoritë për të avancuar më tej.

Këto takime do të luhen në orën 21:00, ndërsa më herët, Atalanta përballet me Borussia Dortmund.

Ndeshja e parë në Gjermani, u mbyll me fitoren 2-0 të verdhezinjve, por italianët duan të shfrytëzojnë momentin pozitiv, për të marrë një rezultat të madh.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re