Vite të reja, zakone të vjetra. Juventusi është dënuar sërish nga Gjykata e Federatës Italiane të Futbollit për mashtrim me plusvalencat. Dënimi parasheh zbritjen e 15 pikëve nga renditja e Serie A për bardhezinjtë, nga 9 që kishte kërkuar prokurori i çështjes.

 

Gjithashtu figurat më të larta të klubit janë dënuar me përjashtim nga futbolli, respektivisht presidenti Andrea Anjeli me 1 vit e gjysmë, Nedved me 1 vit, Arrivabene me 10 muaj. Torinezët janë përfshirë në skandalin e radhës pas disa shitjeve fiktive duke deklaruar shuma që nuk korrespondonin me vlerën reale të lojtarëve në treg.

 

Prokurorët gjetën një sërë parregullsish që rrjedhin nga transaksionet e lojtarëve, duke përfshirë shkëmbimin famëkeq të lojtarëve me Barcelonën që dërgoi Arthurin në Juventus dhe Miralem Pjanic në Barcelonë. Në total janë inspektuar 62 transferta, nga të cilat 42 kanë përfshirë Juventusin.

 

Gjithashtu në fillim të pandemisë Covid-19, Juventus deklaroi se 23 lojtarë ranë dakord të ulin pagën e tyre për katër muaj për të ndihmuar klubin të kapërcejë krizën, por prokurorët pretendojnë se lojtarët hoqën dorë vetëm nga paga e një muaji.

 

Prokurorët kanë zbuluar gjithashtu më shumë pagesa sekrete të supozuara për Cristiano Ronaldon, të cilat nuk ishin raportuar nga Juventus. Klubi ka pretenduar se kishte kursyer 90 milionë euro në pagat e lojtarëve në vitin 2020, duke ndihmuar që vlera e klubit të ishte e qëndrueshme në bursë.

 

Por dënimi mund të mos ndalet me kaq, pasi Juventusi është klub i kuotuar në bursë, dhe me deklarata të rreme të plisvalencave ai direkt ka mashtruar aksionerët sa i përket vlerës dhe qëndrueshmërisë.

 

Sipas raportimeve nga Italia, UEFA mund të nis një hetim të sajin dhe ka gjasa që një tjetër dënim të pasojë për Juventusin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re