
Juventus ka përshpejtuar lëvizjet në orët e fundit të merkatos dhe ka arritur marrëveshjen me Newcastle për transferimin e Nick Woltemade. Sulmuesi gjerman do të bashkohet me bardhezinjtë në formë huazimi për një sezon, në një operacion me vlerë rreth 5 milionë euro.
24-vjeçari pritet të udhëtojë drejt Torinos për vizitat mjekësore dhe më pas firmën në kontratë. Krahas shumës së huazimit, Juventus do të mbulojë edhe pagën e lojtarit, e cila llogaritet rreth 4.4 milionë euro.
Marrëveshja vjen pas largimit të Jonathan David, i cili është transferuar te Atletico Madrid në huazim, me të drejtë blerjeje për rreth 25 milionë euro. Kështu, bardhezinjtë kanë hapur rrugën për një tjetër përforcim në repartin ofensiv.
Woltemade ka pasur kontakte direkte me trajnerin Luciano Spalletti dhe ka dhënë dritën jeshile për transferimin në Torino. Gjermani shihet si një alternativë për sulmin, ku Juventusi ka tashmë edhe Randal Kolo Muanin.
Me 1.98 metra gjatësi, Woltemade sjell një profil fizik të veçantë, por edhe aftësi teknike që e lejojnë të luajë në disa pozicione të repartit ofensiv. Tashmë Spalletti do të ketë në dispozicion dy alternativa të reja në sulm, Kolo Muanin dhe Woltemaden, me të cilët Juventusi synon të rrisë konkurrencën dhe opsionet në fazën sulmuese.
Transferimi pritet të formalizohet pas vizitave mjekësore të sulmuesit gjerman në Torino.
