Kryeprokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ne Konferencën “Sfidat e prokurorisë në dritën e reformës në drejtësi” ka shprehur shqetësimin se shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence. Ndërsa ndodhemi në vitin e katërt të reformës, “ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plota” tha Çela.

“Ndërkohë që reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime rrënjësore nga pikëpamja strukturore në ngrehinën e drejtësisë, suksesi i shumëpritur do të mbetej i skicuar vetëm në imagjinatën e krijuesve dhe promovuesve të saj nëse njerëzit që do të mbeteshin apo do të hynin brenda kësaj ngrehine do të vazhdonin të gëlonin në moçalin e apatisë dhe mediokritetit, duke pritur që ndryshimet të vinin sërish nga një botë tjetër, e huaj dhe e pakuptueshme për ta, por që kishte zgjidhjet magjike dhe për problemet më të thjeshta për të cilat mjafton vetëm forca e vullnetit të mirë për t’u dhënë zgjidhje.

Reformat nuk janë qëllim në vetvete dhe as zgjidhja finale e problemeve. Ato janë instrumenti që duhet të krijojë kushtet e favorshme për zhvillimin e një realiteti të ri, me synim progresin shoqëror.

Reforma në drejtësi është ende në proces, pasi ndërkohë që është miratuar një infrastrukturë e tërë ligjore për funksionimin e sistemit të drejtësisë, institucionet e reja janë ngritur vetëm pjesërisht.

Edhe pse procesi i vetingut nuk ka arritur ende në mesin e rrugëtimit të tij nga pikëpamja sasiore, organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende në proces apo nuk e kanë nisur procesin. Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence, pasi ndërsa jemi në vitin e katërt të reformës, ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plota.” tha kryeprokurori.

“Prokuroria është organi që ka pësuar ndryshimet më drastike nga reforma.

ecentralizimi dhe pavarësia e prokurorëve u vlerësuan si zgjidhjet më të mira për ta bërë prokurorinë efikase, ndërkohë që gjykatës i është dhënë një pushtet edhe më i madh në fazën e hetimit, për të garantuar interesin publik dhe të drejtat e subjekteve. Ndryshimi i kulturës së funksionimit brenda një organizate është faza më e vështirë e çdo reforme që synon t’a ndryshojë rrënjësisht atë. Kështu dhe për prokurorinë zbatimi i konceptit të pavarësisë është sfida më e vështirë për t’u kapërcyer.

Raportet e reja që ligji ka krijuar mes drejtuesve dhe prokurorëve kanë krijuar paqartësi brenda zyrave, ndërsa ekziston rreziku i fragmentarizimit të aktivitetit hetimor si rrjedhojë e praktikave të ndryshme në mungesë të një autoriteti centralizues.

Konfigurimi i ri kushtetues dhe ligjor e ka futur prokurorinë në një proces jo të lehtë të ripërcaktimit të tipareve identitare, ndërkohë që dinamikat në jetën e vendit zhvillohen me një ritëm të atillë që nuk tolerojnë dobësi strukturore apo organizative.

Për rrjedhojë gjetja e zgjidhjeve efikase që përmirësojnë funksionimin e brendshëm të organit dhe bashkëveprimin e tij në rrafshin institucional me agjensitë e tjera ligjzbatuese mbetet i vetmi opsion i vlefshëm ndaj rrezikut që paraqesin aktivitetet kriminale“ tha Çela.

Kryeprokurori ka paralajmeruar edhe hetimet ndaj informalitetit qe tha se e ka gerryer sistemin ekonomik e social prej 30 vitesh.

“Ne do të propozojmë sot ndërmarrjen e disa hapave konkretë për përmirësimin e kapaciteteve tona në hetimet që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale dhe krimin financiar, duke synuar krijimin e një ambienti mbytës ndaj gangrenës së informalitetit që ka gërryer për 30 vjet sistemin ekonomik në vend dhe është kthyer në pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik.

Përtej këtyre, ne do të synojmë të vëmë në lëvizje një projekt për një qasje të re të institucioneve tona në raport me mënyrën e hartimit të politikave penale, përmes një këndvështrimi shkencor që bazohet mbi studime të mirëfillta kriminologjike, ku organet ligjvënëse, ato ligjzbatuese dhe bota akademike bashkëveprojnë për krijimin e modeleve realiste mbi instrumentet dhe mënyrat se si shoqëria jonë duhet të përballet me fenomenet kriminale“.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re