Ish-deputeti i PD, Luçiano Boçi, ka komentuar vendimin e GJKKO për të lëshuar masën e sigurisë detyrim paraqitje për ish-kryeministrin Sali Berisha si dhe kërkesën për tu paraqitur në seancë gjyqësore.
Sipas Boçit, qëndrimi i Berishës për të mos u paraqitur në GJKKO, është zgjidhja ideale. Kjo pasi SPAK, sipas tij, “nuk po respekton Kushtetutën në lidhje me hetimet dhe masën ndaj Berishës, për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Nga studio e “Open”, Boçi tha se Prokuroria duhej t’i drejtohej kryetares së Kuvendit, dhe më pas duhej të mblidhej Këshilli i mandateve dhe të dilej me një vendim për imunitetin e Berishës.
“Prokuroria duhej t’i shkonte kryetares së Kuvendit, më pas më pas kryetarja e Kuvendit i drejtohet Këshillit të mandateve dhe thirret dhe personi që është ngritur akuza, jep sqarimet, dhe më pas dilet me një raport brenda një afati 2 javor.
Berisha për mua ka gjetur zgjidhjen ideale, ka respektuar Gjykatën dhe ka dërguar përfaqësuesin e tij dhe vetë ka kërkuar respektimin e Kushtetutës. Ne po kërkojmë në një fabul që të vëmë para përgjegjësisë një person që akuzohet se ka shkelur ligjin, dhe këtë e bëjë duke shkelur ligjin. Në të gjitha rastet e tjera është ndjekur procedura. Pse duhet të ketë kaq debat në një qëndrim të fortë të Berishës për të ndjekur Kushtetutën”, u shpreh Boçi.
