Skip to content

“Ka ndërtuar infrastrukturë kriminale”/ Zhupa: Rama në samitin e turizmit, me trup në Bruksel me mendjen te SPAK mos i dilnin mesazhet

ina zhupaa

Në mbledhjen e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, kryetarja Ina Zhupa komentoi paraqitjen e kryeministrit Edi Rama në Samitin e Turizmit në Bruksel, duke e akuzuar se gjatë intervistës ishte i përqendruar te hetimet e SPAK-ut dhe përmendja e emrit të tij në çështje të ndryshme.

Zhupa ironizoi përgjigjet e Ramës, duke deklaruar se ai, në vend që të fliste për infrastrukturën dhe zhvillimin e turizmit, duhet të pranonte problemet që, sipas saj, lidhen me marrëdhëniet mes qeverisë, krimit dhe korrupsionit.

“Pashë një kryeministër që me trup ishte në Bruksel, po me mendje ishte te SPAK-u”, tha Zhupa, duke e cilësuar intervistën si një moment ku Rama, sipas saj, shmangu përgjigjet konkrete ndaj pyetjeve të gazetares.

Pjesë nga fjala e Ina Zhupës në komision:

“Pashë një kryeministër që me trup ishte në Bruksel, po me mendje ishte te SPAK-u. Pashë një kryeministër që me trup ishte para gazetares, po me mendje ishte duke lexuar dosjet e SPAK-ut, sa herë i ka dalë emri dhe sa herë përflitet për takimet e tij, për urdhrat e tij, për mesazhet e tij me Vlora Hysenin, me Ergys Agasin, me Mirlinda Kaçanaj, me të gjithë grupin e vet të strukturuar kriminal, saqë edhe intervistuesja i thoshte të njëjtën pyetje katër herë:

“Pse duhet të vijnë në Shqipëri? Po se vijnë të gjithë.. Po pse vijnë? Po vijnë në Shqipëri… Nuk kisha parë të tillë kryeministër! Vetëm një kryeministër që ka halle të mëdha personale dhe që e ka të zënë mendjen me frikën e asaj që po vjen mund të ishte në të tillë situatë kaotike mendore.

Dhe mund t’ju kishte thënë që ne nuk kemi ndërtuar infrastrukturë rrugore, infrastrukturë hekurudhore në Shqipëri, po aman kemi ndërtuar një infrastrukturë të shkëlqyer kriminale të rrjeteve komunikuese mes drogës, krimit dhe qeverisë. Jemi unikë. Mund t’ju kishte thënë që të vijë në Shqipëri sepse në Shqipëri do të gjejnë narkoshtetutë, vërtetin e vetëm në Europë. Të vijë në Shqipëri se në Shqipëri do të gjejë një kryeministër të papërgjegjshëm, i cili bën sikur nuk di asgjë, ku në fakt drejton çdo gjë. Mund t’jua kishte thënë këto dhe të paktën t’i kishte thënë një të vërtetë gazetares”.