Për ish kryeministrin Sali Berisha inceneratorët janë një ndërmarrje private e kryeministrit Edi Rama.
Berisha u shpreh në konferencën e përjavshme me gazetarët se Mërtiri dhe Zoto kanë qenë të punësuarit e Edi Ramës në këtë sipërmarrje.
Sipas tij çështja e inceneratorëve ka një defekt që në themel të trajtimit të tij në raport me rolin që ka pasur qeveria dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë aferë.
“Çështja e djegësave është çështja që është trajtuar më shumë nga mediat dhe politika por edhe drejtësia në këto vitet e fundit. Konstatoj se ka një defekt në themel, ka një trajtim, ka një devijim në themel të trajtimit të këtij problemi. Së pari duhet të shtrojmë një pyetje. Pse qeveria shqiptare me djegësat është provuar organizatë kriminale.
Sepse në këtë aferë kanë firmat e tyre anti-ligjore në kundërshtim me ligjin kryeministri, sekretari i përgjithshëm, ministrat, drejtorët dhe punonjësit më poshtë. Në këtë kontekst ashtu si është e qartë dhe evidente e konfirmuar dhe nga drejtësia se kemi të bëjmë me një aferë korruptive, këtu janë firmat e qeveritarëve më të lartë të vendit me në krye Edi Ramën. Ka dhe diçka më të madhe dhe unë jam këtu për të dytën. Media, politikanë, analistë për fat të keq edhe drejtësia flasin për aferën e djegësave si një sipërmarrje e Mërtirit, Zotos dhe së fundmi Gugalles.
Sa është e vërtetë kjo? Nuk ka asgjë më larg të të vërtetës se kjo. Çfarë janë Mërtiri, Zoto dhe Gugallja? Janë tre socialistë të thekur, biznesmenë ose jo të cilët në këtë proces arrijnë: 1. Të futen në garat e qeverisë duke pasur zero eksperiencë në fushën e mbejtjeve. Cili biznesmen do i lejonte vetes një veprim të tillë? Asnjë! 2. Pasi nisën procesin me tenderin e Elbasanit, Edi Rama lëshon një vendim për shpalljen e emergjencës kombëtare të plehrave. A mund të besoni ju se Mërtiri dhe Zoto kishin fuqi për të bindur Edi Ramën për të shpallur emergjencën dhe për të krijuar komisionin e zv ministrave?! Vetëm me dy qëllime, së pari shkelmimin e strategjisë së trajtimit të plehrave në landfill të paguar nga Bashkimi Europian.
Së dyti shpalli emergjencë sepse fondet duhet të merreshin nga fondet e emergjencës, Mendoni ju se Mërtiri dhe Zoto mund të ishin kaq të magjishëm apo se qeveritarët ishin kaq budallenj? Kjo dëshmon se ndërmarrja ishte e qeveritarëve, ishte e Edi Ramës. Mireli dhe Klodiani ishin të punësuarit privatë të Edi Ramës në sipërmarrje. Kjo nuk mund të jetë ndryshe. Ka qeveri dhe ministra që mund të firmosin duke pranuar të gjitha kushtet e dy biznesmenëve? Kjo ndodh vetëm kur sipërmarrja është e qeverisë. Kjo nuk ishte sipërmarrje e qeverisë, në thelb ishte e Edi Ramës”, tha Berisha.