Ministri i Diasporës, Pandeli Majko komentoi në emisionin “Absolut 4” në A2 dhe deklaratën e kandidates për deputete të PS në Tiranë, Luljeta Bozo, e cila gjatë një interviste në televizion tha se komunizmi kishte më shumë të mira sesa të këqija.

Për Pandeli Majkon është e vërtetë që brenda së majtës ka njerëz që ruajnë një lloj nostalgjie për kohën e komunizmit, por sipas tij ky nuk është rasti i Luljeta Bozos.

“Ju prisni që unë të mbaj një distancë nga kjo deklaratë dhe të them që nuk është e duhura, nuk është e vërteta dhe nuk kishte pse thuhej në këtë kohë. A ka brenda së majtës njerëz që ruajnë një lloj nostalgjie për kohën?

Përgjigja është po. A përfaqëson zonja Bozdo këtë lloj afeksioni? Përgjigja është JO. Por mbase foli më hapur se ndonjë tjetër nga këndvështrimi i saj.

Qëndrimet e mija për këtë çështje janë të qarta. Sistemi komunist ka aplikuar inkuizicionin për ata që i kishte kundërshtarë dhe segregacionin për ata që i konsideronte si pasardhës të tyre.

Ne mund të kemi reflektime të ndryshme që kanë të bëjnë me punën e një komuniteti, të cilët sipas mendimit tim për ruajtjen e sovranitetit të vendit apo disa momente të rëndësishme që kanë të bëjnë me krijimin e universitetit.

Këto më tepër sesa fitore të komunizmit duhen parë si fitore të një komuniteti njerëzish të cilët ishin shkolluar në perëndim”, tha Majko.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re