Rektori i Universitetit “Luarasi”, E’them Ruka iu tha studentëve se marrja e diplomës së LSE do të jetë një dokument i rëndësishëm për të ardhmen e tyre.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë për çeljen zyrtarisht të programeve Bachelor të London School of Economics në Universitetin “Luarasi”, Ruka e vuri theksin tek ajo që është më e rëndësishmja për një student, se çfarë do të ndodhë më të pas përfundimit të studimeve.
Rektori i “Luarasit” tha se diploma e LSE është një garanci për punësim të shpejtë si në Shqipëri ashtu edhe në shtetet e tjera të botës.
“Unë mendoj se kjo është një përpjekje kombëtare për të arsimuar djem dhe vajzat shqiptare dhe për t’ju dhënë një diplomë dinjitoze. As vetë nuk e imagjinoni se çfarë zgjedhje keni bërë dhe sa shumë pishman bëhen ata që u tërhoqën rrugës për shkak të hezitimeve të ndryshme.
E dini se sa vlerë kanë diplomat që do të merrni. Do të mburresh me të, do të identifikoheni me të, dhe portat do të jenë më të hapura për ju në tregun e punës, këtu në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të botës.
Nga ky universitet, London School of Economics kanë dalë personalitete, kryeministra, presidentë, në mos gaboj edhe 5 kryeministra të Mbretërisë së Bashkuar”, deklaroi më tej, Ruka.
“Përmes emocioneve shumë të fuqishme kemi sjellë këtë shkollë. Ne nuk kemi ndonjë përfitim, përfitimi është i juaji, është i shqiptarëve”.
“Faleminderit shumë James, ne të konsiderojmë pjesën tonë, është një profesor shumë simpatik, ka shumë energji, nuk e përmban dot, por është edhe gjithmonë i qeshur, na jep energji pozitive. Është hera e dytë që vjen këtu. Sot në mëngjesi thash, James t’i duhet të vendosësh krah tani sepse udhëton në 120 vende të botës, por ka qenë i gatshëm sa herë kemi patur nevojë për konferenca online, këshilla dhe me radhë. Universiteti Luarasi është një partner serioz dhe i vendosur që këtë projekt ta çojë përpara në mënyrë të suksesshme”, përfundoi Rektori i Luarasit, Et’hem Ruka.
