I ftuar në studion e Fax News ka qenë Miron Çako, Përgjegjës i Katekizmit në kishën Ortodokse. Çako tha se ky kishte qenë një vit i vështiorë që kishte sjellë trishtim dhe vështirësi tek njerëzit për shkak të pandemisë me të cilën po përballet e gjithë bota.

Por shtoi se Krishtlindjet janë festa që do të ndryshojë këtë atmosferë të zymtë që është krijuar, sepse përcillet mesazhi që Zoti nuk i ka braktisur njerëzit që besojnë tek ai.

Si i gjen shqiptarët ky vit?

Çako: E para njëherë shikoni sa shpejt ikin ditët, por është një vit që pak a shumë të gjithë ne po e mbyllim me vështirësi për shkak të kësaj pandemie dhe në njëfarë mënyrë njerëzit kanë njëfarë trishtimi dhe pasigurie. Por Krishtlindja në këtë fundvit jep një atmosferë tjetër dhe ka ditë që e ka ndryshuar atë atmosferën e zymtë me përgatitjet që bëjnë njerëzit.

Na e ka ndryshuar këtë gjëndje prandaj është një festë që transmeton gëzim dhe shpresë. Është shumë mirë për ne që e besojmë por edhe njerëzit të cilët nuk kanë shumë njohuri për festën por gjithsesi e festojnë, mirë bëjnë sepse përcjell mesazhin që Zoti nuk na ka braktisur. Sepse njerëzit braktisin, shoqëria po ashtu ndonjëherë edhe të afërmit. Ndonjëherë na duket se çfarë do ndodhë me ne madje ka dhe njerëz që ngrejnë akuza ndaj Zotit duke thënë: Po ti pse nuk ndërhyn, pse na lë në këtë gjendje?

Por ja që mesazhi ky është, që Zoti kaq shumë e deshi botën sa dha birin e tij që kushdo që ka besim tek ai të mos humbasë por të ketë jetë të përjetshme. Edhe vetë emri i foshnjës që lindi perëndia njeri quhet “Isu” që do të thotë: Zoti shpëton, ose “Emanuel” që do të thotë perëndia është me ne. Dhe kur Zoti është me ne patjetër që gjërat ndryshojnë.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re