Gazment Bardhi është shprehur se nuk njeh vendimin për përjashtimin e 26 deputetëve të opozitës nga Kuvendi.

Në një prononcim për News 24, Bardhi u shpreh se sot nuk kanë thyer asnjë rregullore. Sipas tij, reagimi i sotëm ishte një formë proteste për bllokimin e ushtrimit të funksioneve të tyre në Parlament.

Më tej Bardhi tha se ka pasur një tendencë nga ana e mazhorancës për ta degraduar në fizik, konfliktin verbal.

Sa i takon ngujimit në Kuvend, Bardhi tha se do të qëndrojnë derisa të përmbyllin diskutimet për hapat e mëtejshëm që do të ndjekin.

“Nuk ka thyerje rregulloreje nga opozita, por ata që kanë thyer dhe shkelur me të dy këmbë kushtetutën janë ata të PS. Reagimi i sotëm nuk formë proteste në kuadër të lirisë së shprehjes së tyre dhe nëse parlamenti është kthyer në një institucion ku përjashtohet dhe Rama do të ketë punime në një parlament njëpartiak, ne do të reagojmë. Ne nuk dëshirojmë të bllokohet puna, por dëshirojmë të ushtrohen funksionet tona.

Ne nuk njohim asnjë vendim përjashtimi. Kemi rreth dy muaj që mazhoranca krijon truk pas truku që pengon opozitën të ushtrojë funksionin e vetë. E gjitha bëhet për të zhbërë funksionimin tonë. Në momentin që opozita bëhet bashkë, keqpërdoren kolegët për të vijuar tollovia. Nuk është zgjidhja përjashtimi, as konflikti. Ka një tendencë nga mazhoranca për t’u konfliktuar fizikisht.

Nuk është se kemi përcaktuar një orar konkret sa do të qëndrojmë brenda Kuvendit. Do të qëndrojmë sa të jetë e nevojshme, sa të mbarojmë diskutimet sesi do ti përgjigjemi agravitimit të situatës me përjashtimin e opozitës së parlamentin”, tha Bardhi.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re