Një tjetër kulle 25-katëshe i është dhënë leja për t’u ndërtuar në qendër të Tiranës, ndërsa ka dyshime të shumta se si e ka nisur aktivitetin kompania e ndërtimit që fshihet pas saj. PD ka denoncuar gjatë ditës së djeshme se kulla do të ndërtohet nga ANA.shpk, e cila ka një fitim të deklaruar vetëm 100 mijë euro, ndërkohë që projekti që ka marrë përsipër është me një vlerë dhjetra herë më shumë, mbi 50 milionë euro.

Sipas denoncimit të opozitës bërë nga Enkelejd Alibeaj dhe Ina Zhupa, pas kësaj kulle 85 metra të lartë, ka dyshime të prekshme për pastrim parash, pasi asnjëra prej kompanive që kanë marrë tenderin, nuk kanë para të mjaftueshme për një investim të këtyre përmasave.

“Dy kompanitë që kanë lejen për të ndërtuar kullën 25 katëshe, nuk kanë para të mjaftueshme. Gjendja e tyre financiare nuk i lejon të mbarojnë një kat të një ndërtese të tillë, jo më të mbarojnë të gjithën kullën”, tha Alibeaj.

“Lejen e ndërtimit e ka fituar Ana sh.p.k”, e cila rezulton se është një kompani që nuk ka më shumë se 100 mijë euro fitime nga ato që deklaronte vetë në Drejtorinë e Tatimeve për dy vitet e fundit. Atëherë kjo kullë këtu mbrapa nesh me sipërfaqen që ka dhe me atë që përfaqëson shkon diku tek 20 milionë euro për t’u ndërtuar dhe më pas me një transaksion shitje kjo kullë i shkon vlera diku tek 60 milionë euro”, tha Zhupa.

Zhupa solli edhe një fakt që hedh dyshime se ajo mund të ndërtohet me paratë e krimit, ku del në lojë dhe emri i Edmond Begos, që është përfolur dhe më parë nga ana e opozitës, që ka marrë tendera të mëdhenj publik, edhe pse ka vendime që është subjekt i veprave penale të mëparshme.

Administratorja e Ana shpk është e njëjta me atë të Romario Shpk, e cila është në pronësi të Begos, i shigjetuar po ashtu dhe për ndërtime në zonën e Astirit, që devijuan dhe projektin fillestar të Unazës së madhe.

“Ana. sh.p.k “,  ka administratore zonjën Mirela Zaraliu. Kjo zonjë për të gjithë ata që nuk e njohin, ka qenë administratore dhe pronare e një firme tjetër “Romario sh.p.k”. “Romario sh.p.k” është në hetim nga prokuroria shqiptare sepse rezulton një firmë e Edmond Begos. Edmond Bego është i njohur nga ju për aferat e zgjerimit të Lanës, për privatizimin e tokave publike dhe për tenderat e mëdhenj publikë që ka fituar në mënyrën se si ata dijnë ti fitojnë, pa garë dhe me çmimet më të larta”, tha Zhupa. (E.K/Faxweb.al)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re