Skip to content

“Ka zjarr, dilni jashtë, ka zjarr!” Rrëfimi i shqiptarit që i shpëtoi flakëve në tragetin Brindizi-Igumenicë

Disa ditë më parë një zjarr përfshiu një traget pasagjerësh të linjës Brindizi- Igumenicë, ndërsa ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin në kohë prej aty qindra pasagjerë e ekuipazhin.

Një prej pasagjerëve në traget ishte dhe Zef Lufi, shqiptar me origjinë nga Puka i cili jeton në Selanik. Ai tregon sesi u zgjuan në mes të natës, dhe disa detaje sesi u shpëtuan njerëzit.

“Në tre të mëngjesit na zgjuan, na thanë, ka zjarr dilni jashtë. Dolëm jashtë hipëm sipër në tarracën e tragetit. Na mori personeli i tragetit na rreshtoi dhe na thanë do prisni këtu, shikoja tym shumë të madh në tarracë. Na mbajtën për një orë e kur panë që nuk mund të shuhej zjarri, na vunë në dy varka dhe e lamë tragetin. E pamë vdekjen para syve… na larguan nja 50 metra larg tragetit dhe për 20 minuta i hipi flaka gjithë tragetit gjithandej… ne deshi Zoti shpëtuam. Ishte edhe një shqiptar qe ishte me mua, ai është në hotel.  Me shumë kanë qenë bullgarë dhe rumunë.”-tregoi Zefi në intervistë për Tch.

Ndërkohë këtë të dielë, fatmirësisht një prej 12 të zhdukurve u gjend në bordin e anijes të djegur, e cila është rimorkiuar drejt Korfuzit. Fjala është për një 21 vjeçar me origjinë bjelloruse, me profesion shofer, i cili fatmirësisht, i kishte shpëtuar tymit e flakëve pa marrë dëmtime serioze.

Siç tregon media greke, i riu ishte në gjendje shoku dhe kur është shpëtuar, fjalët e tij të para kanë qenë “më thoni që jam gjallë”

Kur ekipet e shpëtimit e kanë pyetur nëse kishte parë njeri tjetër në traget, ai ka deklaruar se “kishte dëgjuar zëra”

I riu u dërgua në spital dhe nuk ka marrë dëmtime serioze nga djegiet apo tymi. Tashmë autoritetet greke po shpresojnë se mund të gjejnë edhe 11 personat e tjerë të zhdukur, konkretisht 7 shtetas bullgarë, tre grekë dhe një shtetas turk.

https://www.youtube.com/watch?v=Sdp79x0Byg4