Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është liruar përkohësisht nga Gjykata Speciale në Hagë, ku po mbahet në paraburgim si i dyshuar për krime lufte. Veseli është liruar për arsye humanitare, për një vizitë të shkurtër familjes së tij.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet nga Gjykata Speciale.

Mësohet se Veseli ka vizituar të dielën, të atin e tij në Spitalin e Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri”, pasi babai i tij ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Njëri ndër liderët dhe themeluesit e UCK-së, Kadri Veseli po ruhet nga forca të shumta të sigurisë, përfshirë policinë e EULEX-it.

Mësohet se Veseli do qëndrojë në Kosovë për tri ditë.

Nga Specialja kanë thënë se gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë.

*

Apeli refuzon kërkesën për mbrojtje në liri të Thaçit, Veselit e të tjerëve

Të premten, një̈ panel i Gjykatës së Apelit në Gjykatën Speciale ka refuzuar kërkesën për mbrojtje në liri të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime në luftën e Kosovës për liri. Ky panel nuk ka marrë në konsideratë argumentet e ofruara nga mbrojtja e të akuzuarve. Apeli nuk u ka besuar as zotimeve të shtetit të Kosovës, me saktë nga Policia e Kosovës, se ka kapacitetet e mjaftueshme për të ofruar siguri në mbikëqyrjen e të akuzuarve gjatë kohës së qëndrimit të tyre në lirim të përkohshëm.

*

Berisha thotë se Kroacia, Sllovenia e Austria garantojnë për lirimin me kusht të ish krerëve të UÇK-së

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëmarrësi i Betejës së Koshares, Hisen Berisha, ka thënë se pas Kroacisë dhe Sllovenia dhe Austria, japin garanci për lirimin me kusht të ish krerëve të UÇK-së. Berisha, përmes një postimi në Facebook, tha se tani është në dorë të lidershipit të vendit të veprojnë institucionalisht.

“Pas Kroacisë tani edhe Austria dhe Sllovenia ofrohen garant të lirimit me kusht të të arrestuarve në Hagë. Radha është te Presidentja, Kryeministri apo Krye-parlamentari që të veprojnë institucionalisht. Për të ofruar garanci, së pari duhet treguar kredibilitet institucional dhe integritet personal”, ka shkruar Berisha.

*

Mbahet konferenca e katërt statusore ndaj Gucatit e Haradinajt

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, e njohur si Gjykata Speciale, është mbajtur konferenca e katërt statusore ndaj kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinaj. Në këtë konferencë është diskutuar për materialet e arritura në zyrat e OVL-UÇK-së vitin e kaluar, për çka edhe po akuzohen Gucati e Haradinaj.

Mbrojtja ka deklaruar se informacionet tregojnë se materiali ka rrjedhë nga stafi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar apo persona të afërt me Zyren.

Ndërkaq, Prokuroria ka deklaruar se hetimet e kryera kanë vërtetuar akuzat e ngritura dhe se pas vërtetimit, mund të shpien në dënimin e të akuzuarve.

Avokati i ish-kryetarit të OVL-UÇK Hysni Gucatit, mbrojtësi Jonathan Elystan Rees ka thënë se do të vazhdojnë të trajtojnë çështjen e rrjedhës së informacioneve, por Prokuroria theksoi se ata akuzohen për përhapje të paligjshme të informacionit konfidencial dhe jo për mënyrën se si e morën informacionin.

*

Kryeministri Kurti takon zyrtarë të lartë të BE-së në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës dyditore në Bruksel, ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë të BE0së dhe NATO-së.

Ai është takuar në Bruksel me emisarin special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale, Kurti ka thënë se me Lajçak ka zhvilluar një takim konstruktiv.

“Unë ri konfirmova që dialogu duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë. Duhet të pranojë realitetin dhe të vërtetën, të jetë i barabartë dhe të adresojë çështje të pazgjidhura, jo të krijojë të reja”, ka shkruar Kurti.

Në kuadër të vizitës zyrtare të tij në Bruksel, Kurti po ashtu është pritur në takim nga Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli.

Kurti është shprehur mirënjohës për rolin pro aktiv dhe avokues të Parlamentit Evropian në mbështetje të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e BE-së për përballimin e pandemisë COVID-19.

Kurti dhe ekipi tij janë pritur gjatë ditës edhe nga komisionarë të BE-së nga fusha të ndryshme.

Delegacioni kosovar u prit në takim edhe nga komisionari i BE-së për Çështjet Ekonomike dhe Financiare Paolo Gentiloni. Në takim u diskutua për ndikimin negativ të pandemisë COVID-19 në ekonomi, dhe domosdoshmërinë për angazhim serioz për rigjenerim nga humbjet e shkaktuara.

Të enjten, ndërkaq, delegacioni kosovar me në krye Albin Kurtin është takuar edhe me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

*

Kryeministri Kurti nuk pranon të takohet me presidentin Vuçiq në Bruksel më 11 maj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të marrë pjesë në takimin me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq të paralajmëruar për 11 maj nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell. Në një deklarim për media pranë Komisionit Evropian në Bruksel, Kurti ka theksuar se nuk mund të marrë pjesë në një takim në të cilin nuk e ka konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen.

Por, megjithëkëtë, ai ka konfirmuar pjesëmarrjen për “një drekë apo darkë pune” të organizuar nga Borrell, ku bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Paralajmërimin se më 11 maj do të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel e dha Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i BE-së, Josep Borrell, të hënën gjatë një konference për media me presidentin e Serbisë, AleksandarVuçiq, i cili po ashtu qëndroi në Bruksel.

*

Kryeministri Kurti përgëzon Ramën për rezultatin zgjedhor 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar kryeministrin shqiptar Edi Rama për fitoren e tij në zgjedhjet e parlamentare të mbajtura më 25 prill në Shqipëri.

“Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies”, shkroi Kurti në rrjete sociale.

Njëkohësisht, kryeministri kosovar ka uruar që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që “askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese”.

“Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku”, përfundoi Kurti.

*

Ministri i Brendshëm Sveçla zhvilloi takim me ambasadorin e Turqisë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë në Prishtinë, Çagri Sakar.

Siç njoftohet nga zyra për informim e ministrisë, ministri Sveçla ka falënderuar ambasadorin turk për partneritetin dhe ndihmën që Turqia i ka ofruar në vazhdimësi Kosovës.

Ministri Sveçla ka njoftuar ambasadorin Sakar edhe me prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke nënvizuar se “luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsioni janë kryefjala e kësaj qeverie”.

Ambasadori i Turqisë, Sakar e ka uruar ministrin Sveçla për marrjen e detyrës, teksa ka shprehur përkushtimin e shtetit të tij, Turqisë, për vazhdimin e bashkëpunimit me shtetin e Kosovës.

*

Ministri i Bujqësisë Peci takohet me ambasadorin turk Sakar 

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) të Kosovës, Faton Peci ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë Çağrı Sakar dhe përfaqësuesin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Kosovë, Cihan Dinçer. Siç bëhet e ditur nga komunikata për media e Ministrisë, në këtë takim u theksuan mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural.

Ambasadori Sakar shprehu përkrahjen e Qeverisë Turke ndaj institucioneve, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim konkret në zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë.

Ministri Peci ka falënderuar ambasadorin Sakar për gatishmërinë e treguar për të bashkëpunuar në projekte konkrete në fushën e bujqësisë si element i rëndësishëm i zhvillimit të ekonomisë në vend.

*

TIKA mbështet prodhuesit e qumështit në Kosovë

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) siguroi mbështetje me pajisje për prodhuesit e qumështit në Komunën e Rahoveci në kuadër të projektit “Mbështetja e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës me makineri për pastrimin e thundrave të gjedheve”.

Në ceremoninë e zhvilluar në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës morën pjesë ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Cihan Dinçer, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Milazim Berisha dhe shumë prodhues të tjerë të qumështit.

“Me makineritë për pastrimin e thundrave të gjedheve që janë dhuruar sot, do të përmbushen nevojat e mbi 2.000 prodhuesve të qumështit. Uroj që kjo të jetë e dobishme për Kosovën”, tha ambasadori Sakar.

Kryetari i shoqatës, Berisha shprehu kënaqësinë për mbështetjet e TIKA-s ndaj fermerëve të Kosovës duke shprehur besimin që do të ketë edhe projekte të tjera për të mirën e fermerëve.

Koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Cihan Dinçer tha se makineritë e prodhuara nga njerëz të biznesit turk do të ofrojnë kontribut të rëndësishëm për prodhuesit e qumështit në Kosovë.

Në kuadër të projektit do të mbështeten me makineri për pastrimin e thundrave të gjedheve për rreth 2.700 fermerë në të gjithë Kosovën.

*

Kjo javë, me mot të ndryshueshëm në Kosovë 

Kosova do të vazhdoj të mbetet nën ndikimin e masave të ajrit me presion të ndryshueshëm atmosferik. Kjo situatë e parashikuar nga Instituti Hidrometeorologjik I Kosovës, do të krijoj kushte për mot me diell dhe herë-herë me vranësira të cilat kanë mundësi për reshje shiu të intensitetit të dobët. Shi me intensitet të dobët parashihet të ketë gjatë mbrëmjes së ditës së hënë, të mërkurën dhe të enjten, duke mos e përfshirë gjithë territorin e vendit. Përgjithësisht sasitë totale të reshjeve gjatë gjithë javës do të jenë të ulëta. Sa i përket temperaturave, ato do të jenë tipike pranverore, duke regjistruar minimalet ndërmjet 7e 10 gradë Celsius, ndërsa vlerat maksimale parashihen të lëvizin ndërmjet 21 e 27.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re