Po sikur t’ju thonë se kafeja është e mirë për shëndetin tuaj? Ju duhet t’i besoni kësaj , por duhet të qëndroni brënda kufirit prej tre filxhanësh në ditë.

Një studim i publikuar në Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism tregoi se marrja e 200-300 mg kafeinë në ditë, rreth tre filxhanë, mund të ulë ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve si diabeti, sëmundjet koronare të zemrës dhe goditjet në tru.

Analiza, e kryer në mbi 500,000 pjesëmarrës, nga të cilët mbi 172,000 pa sëmundje kardiometabolike para-ekzistuese, zbuloi se ata që konsumojnë një sasi të moderuar të kafeinës kanë një rrezik 48.1% të reduktuar për të zhvilluar më shumë se një sëmundje kardiometabolike në krahasim me jo-konsumatorët.

Edhe ata që konsumojnë më pak kafeinë, nën 100 mg në ditë, kanë përfitime, por në një masë të reduktuar (rreth 40.7%). Chaofu Ke i Kolegjit Mjekësor Suzhou të Universitetit Soochow në Kinë, përgjegjës kryesor për studimin, është entuziast: “Konsumimi i tre filxhanëve kafe ose 200-300 mg kafeinë në ditë mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të zhvillimit të multimorbiditetit kardiometabolik”, por kujdes të mos e teproni.

Pse kafeja është e mirë për ju?

Përfitimi i kafeinës shtrihet përtej parandalimit të sëmundjeve individuale. Ky efekt mbrojtës i atribuohet një sërë procesesh kimike që ndodhin në trupin tonë pas konsumimit. Kafeina vepron si një stimulues i fuqishëm i sistemit nervor qendror, duke rritur disponueshmërinë e neurotransmetuesve si dopamina, norepinefrina dhe serotonina, të cilët ndihmojnë në përmirësimin e humorit dhe përqendrimit. Në të njëjtën kohë, kafeina promovon rregullim më të mirë të insulinës, duke reduktuar rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2.

Një mekanizëm tjetër i rëndësishëm i zbuluar nga studimi ka të bëjë me aftësinë e kafeinës për të reduktuar inflamacionin dhe për të përmirësuar funksionin vaskular, dy elementë kyç për ruajtjen e shëndetit të mirë kardiometabolik. Për më tepër, kafeja është e pasur me antioksidantë që luftojnë stresin oksidativ, një nga shkaqet kryesore të dëmtimit qelizor dhe plakjes së parakohshme.

Pse sduhet ta kalojmë dozën ditore ?

Pirja e tepërt e kafesë është vërtet e keqe. Studiuesit shpjegojnë se marrja e kafeinës duhet të mbahet në nivele të moderuara: tre filxhanë në ditë, ose rreth 300 mg kafeinë, duket se janë ideale për të marrë përfitimet pa rrezikuar.

Tejkalimi i këtij pragu mund të ketë efekte negative. Konsumimi i tepërt i kafeinës mund të çojë në pagjumësi, nervozizëm, rritje të presionit të gjakut dhe përshpejtim të rrahjeve të zemrës.

Në terma afatgjatë, marrja e tepërt e kafeinës mund të kontribuojë në rritjen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, në vend që ta zvogëlojë atë. Kafeina e tepërt gjithashtu mund të ndikojë negativisht në aftësinë tuaj për të absorbuar kalciumin, duke dobësuar kockat tuaja.

Efektet e kafeinës së tepërt

Kur pini shumë kafe, simptomat e mbidozës së kafeinës mund të shfaqen shpejt. Në doza të larta, mbi 400 mg në ditë (rreth katër filxhanë ), disa njerëz mund të përjetojnë efekte anësore si dridhje, palpitacione dhe nervozizëm. Në disa raste, kafeina mund të shkaktojë edhe dhimbje koke dhe rritje të rrahjeve të zemrës, simptoma që përkeqësojnë cilësinë e jetës së përditshme.

Në veçanti, mbidoza kronike mund të ndryshojë sistemin nervor, duke shkaktuar një formë varësie që e bën të vështirë uljen e konsumit. Prandaj është thelbësore që kafeja të mbahet si një zakon i këndshëm i përditshëm, por pa tepricë, për të vazhduar të shijoni përfitimet e saj pa rreziqe shëndetësore.

Nuk e dimë nëse do të pimë kokrra kafeje pas disa vitesh për shkak të ndryshimeve klimatike. Ndërkohë, do të ishte më mirë të mos e teproni ndërkohë që kryeministri anglez Starmer ka ndaluar konsumimin e pijeve energjike për moshen nën 16 vjeç, për shkak të përqendrimit të lartë të sheqerit dhe kafeinës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re