“Këtu është shumë nxehtë. Jo nxehtë, por shumë shumë nxehtë… si zjarri. Nëse hedh ujë në tokë, do të avullojë prej nxehtësisë. Është vështirë, shumë vështirë”

Këto janë fjalët e një minatori që punën e nis me natë, për ta përfunduar në agim. Me ardhjen e diellit, s’mund të qëndrosh në ambient të hapur, e jo më të mbledhësh kripë në minierë.

“Të punosh në minierë është dita ditësh edhe më e vështirë, kjo për shkak se moti po ndryshon shumë.”

E janë pikërisht këto ndryshime të motit kanë bërë që shumë banorë të Mauritanisë veriore të braktisin shtëpitë e tyre për një vend e punë tjetër. Largimi drejt detit duket si mundësia më e mirë për të gjetur punë.

“Parardhësit e mi kanë punuar në këtë minierë. Kjo është kripa më e mirë në të gjithë Afrikën. Por nuk kam zgjedhje, veçse të kërkoj një punë në një vend tjetër”-thotë minatori, i quajtur Sidi.

Por jetesa pranë shkretëtirës së Saharasë nuk është e lehtë për askënd.

“Në 10 vitet e fundit klima ka ndryshuar ndjeshëm. Është shumë më nxehtë dhe shi ka akoma më pak.”-tregon Muhamedi, i cili rrit bagëti në kushtet ekstreme të motit. Madje ai tregon se për shkak të thatësirës, është detyruar të ushqejë dhitë e bagëtinë me kartonë.

“Në fillim bagëtia nuk e pëlqente kartonin, por më pas e pranuan… në të kundërtën do të ngordhnin nga uria”

Fotot e mësipërme i përkasin Chinguetti-t, një qyteti të vjetër, mbrojtur nga UNESCO. Sot ky qytet që dikur kishte mbledhur dijetarë e ngritur dhjetëra shkolla, po mbulohet nga Saharaja. Banorët ‘luftojnë’ përditë me shkretëtirën, ndërsa dunat e rërës mbulojnë shpesh e më shumë, shtëpi, oborre apo çfarë del përpara.

“Më parë këtu nuk kishte rërë, por tani rërën e gjen kudo. Kjo është shtëpia ime. Një dunë e vogël rëre po mbulon muret. Kur niveli i rërës bëhet edhe më i lartë, na duhet ta heqim me lopata”

Foto e shkeputur nga kronika e BBC

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re