Agim Kajmaku vijon të jetë në arrati, ndonëse gjyqi për të në Gjykatën e Tiranës është shoqëruar me shtyrje të seancave. Kështu ndodh edhe këtë të mërkurë, ku ishte planifikuar seanca e radhës, por avokati i Agim Kajmakut, Isuf Shehu depozitoi në sekretarinë e gjykatës kërkesën për përjashtimin e gjyqtares së çështjes, Znj. Shefkie Demiraj.

Në kërkesën e siguruar nga Gazeta Shqip përmendet se ka indicie që Demiraj është në proces Vettingu, proces ky që kryesohet nga Znj Pamela Qirko, e cila rezulton sipas informacioneve mediatike dhe të dhënave të tjera, kundërshtarja e vetme ndaj ish-kryebashkiakut të Vorës për shkak të lidhjeve familjare me politikën.

Nga ana e avokatit, ky fakt përpërbën një shkak të rëndësishëm anshmërie, që parashikohet në nenin 17, pika “ë”, i Kodit të Procedurës Penale. Dihet botërisht, rëndësia e procesit të vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët mund të rrezikojnë vendin e punës.

Nuk janë të pakta rastet kur gjyqtarët dhe prokurorët nën trysninë e vettingut, janë bërë pjesë e skemave dhe intrigave politike në vend, duke u bërë kështu palë me lojërat politike në dëm të interesave të qytetarëve apo dhe individëve me kredenciale publike, dhe kanë krijuar pikëpyetje të shumta mbi kredibilitetin e reformës në sistemin e drejtësisë që aq shumë është propaganduar gjatë këtyre viteve.

 

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re