9 dhjetor Berati, një qytet unik në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i ngritur buzë lumit Osum, rreth 2400 vjet më parë vijon të tërheqë turistë të shumtë.

Mbi kalanë e lashtë mbi kodër të banuar edhe sot , Berati është një nga destinacionet kryesore turistike në vend.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, bën të ditur se “numri i turistëve që vizituan kalanë në qytetin e Beratit gjatë periudhës janar – nëntor 2019 ka qenë 136 313 vizitorë”.

“Krahasuar me të njëjtën periudhë me një vit më parë kemi rreth 9785 vizitorë më shumë prej të cilëve 70,800 janë me kombësi të huaj”, – thekson DRKK.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II p.e.r. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.

Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, e cila i përket fundit të shek. XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së Shën Todrit gjenden kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna etj. /j.p/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re