Me qindra kuintal me shalqi janë kalbur në orë në zonën e Kozares në qytetin e Kuçovës, pasi fermerët nuk arritën ta shisnin dot prodhimin për shkak të mungesës së tregut. Shtimi i sipërfaqeve të kultivuara me shalqi më shumë këtë vit dhe mungesa e eksportit e kanë çuar një fermer të kësaj zone drejt falimentimit të plotë.

Rreth 600 tonë shalqi, pasi kaloi tejpjekjen është kalbur në fushë në pamundësi për të dalë në treg për shitje. Besim Shkurti, nga fshati Kozare në bashkinë e Kuçovës mbolli këtë vit 7 ha me shalqi, duke shpenzuar në të rreth 40 milion lekë por edhe pse prodhimi ishte i bollshëm e me cilësi, ai nuk arriti dot të shesë asgjë, duke humbur miliona lekë.

Sipas Shkurtit, shalqiri nuk gjeti treg shitjeje pasi u bllokua eksporti. Ai deklaron se i gjithë shalqiri në arë i është kalbur dhe nuk di në çfarë institucioni të gjejë zgjidhje për të verifikuar prodhimin e kalbur që ndodhet ende në tokë dhe për të marrë një dëmshpërblim.

“Mallin e eksportoja jashtë shtetit, vinin këtu me makina dhe e merrnin. Sivjet shalqiri nuk u shit pasi u bllokua eksporti, nuk kam dot shitur asnjë makinë shalqi. Janë 600 ton shalqi në 7 ha tokë që mu kalbën dhe për këtë prodhim kam hedhur 40 milion lekë,25 milion i kam marrë kredi, pa llogaritur punën dhe mundin tonë sepse në këto ara unë janë punësuar 4 anëtarë të familjes sime”-,shprehet fermeri Besim Shkurti, që bën apel për ndihmë pasi nuk di më se në çfarë zyre të përplaset. Shkurti pohon se ka falimentuar, pasi nuk ka asnjë të ardhur tjetër dhe se kjo është e vetmja e ardhur me të cilën ushqehej familja e tij prej 7 anëtarësh.

(BalkanWeb)

Balkanweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re