Shkrimtari dhe aktivisti amerikan Jeffery Shaun King, 44 vjeç, reagimet e mprehta të të cilit kundër sulmeve izraelite ndaj civilëve në Gaza tërhoqën shumë vëmendje, njoftoi se ishte konvertuar në Islam.

King, i cili ka miliona ndjekës në rrjetet sociale, ka vizituar mbrëmë një xhami në Teksas me gruan e tij. Shkrimtari amerikan njoftoi një ditë para muajit të Ramazanit se ishte bërë musliman.

Ai ka postuar një video në rrjetet sociale në të cilën deklaron Shehadetin, kredon kryesore islame – “Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet veç Allahut dhe Profeti Muhamed është njeri dhe i dërguari i Tij” – duke shpallur kësisoj publikisht përkatësinë e tij në Islam. Shkrimtari njoftoi se ai dhe gruaja e tij kishin zgjedhur Islamin në një ceremoni të mbajtur në Qendrën Islamike Valley Ranch në Teksas.

“Ishte një ditë e bukur, e madhe dhe domethënëse që nuk do ta harrojmë kurrë,” tha King.

Ai njoftoi publikisht se ai dhe gruaja e tij kishin vendosur të konvertoheshin në Islam, feja e dytë më e përhapur në botë dhe feja me numrin më të madh të anëtarëve në rritje në botë.

“Ne sapo u bëmë muslimanë. Përshëndetje për të gjithë në Amerikë dhe në pjesën tjetër të botës. Unë do të lutem për ju…”, tha ai.

Autori dhe aktivisti amerikan është veçanërisht i njohur për fjalimet e tij mbështetëse dhe postimet në mediat sociale për Palestinën dhe Gazën. King tha se zemra e tij është për miqtë e tij më të dashur, njerëzit e Gazës.

“Unë po agjëroj sot edhe me më shumë se një miliard muslimanë të tjerë në mbarë botën,” tha ai.

King u lind dhe u rrit në Kentaki, SHBA dhe përfundoi arsimin e tij universitar në Kolegjin Morehouse në Xhorxhia. Pasi dha një mësim të shkurtër në shkollën e mesme, ai përfundoi trajnimin e tij priftëror dhe themeloi një kishë të quajtur “Kisha e guximshme” në Atlanta në 2008, të cilën e drejtoi për katër vjet.

Gjatë ditëve të shkollës së mesme, King u ekspozua ndaj sulmeve raciste dhe si rezultat iu desh t’i nënshtrohej operacioneve të shumta të shtyllës kurrizore. Ai mbështet shumë organizata të të drejtave të njeriut si Black Lives Matter.

Ai gjithashtu shkruan artikuj për të drejtat civile për Neë York Daily News dhe punon si komentator politik për botimin online “Turqit e Rinj”. Ai është gjithashtu i njohur për publikun për kritikat e tij ndaj sulmeve izraelite ndaj civilëve në Gaza.

King është i martuar dhe ka pesë fëmijë, tre prej të cilëve i ka me gruan e tij dhe dy prej të cilëve të birësuar. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re