Zëdhënësi i Presidencës Turke, Ibrahim Kalin, në postimin e bërë në median sociale, vlerësoi deklaratën e Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) në lidhje me vdekjen e të paktën 100 emigrantëve të parregullt si pasojë e një aksidenti me varkë në Mesdhe.

“I sati krim është ky në fletoren e mëkatit të një sistemi botëror pa shpirt dhe ndërgjegje?”, shkroi Kalin.

“Edhe sa jetë të tjera të pafajshme duhet të humben që njerëzimi të zgjohet? Në një botë ku viktimat dhe të shtypurit lihen në vetmi, nuk vdesin njerëzit, por vdes njerëzimi.”, u shpreh zëdhënësi Kalin.

Në deklaratën e bërë nga Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin ishte bërë i ditur një raport për vdekjen e më shumë se 100 njerëzve në një aksident në det në Mesdheun Qendror.

Edhe organizata franceze e shoqërisë civile (SOS Mesdhe), e cila mori pjesë në punimet e kërkim-shpëtimit në Mesdhe, bëri një deklaratë në lidhje me ngjarjen.

“Sot (dje) ndodhi ajo për të cilën kishim frikë. Ekuipazhi i “Ocean Viking” dëshmoi rrënojat e një gomoneje në verilindje të Tripolit. Të mërkurën në mëngjes u raportua se gomonia mbarte 130 persona dhe ishte në vështirësi. Kur anija mbërriti në vendngjarje u përball me 10 kufoma, dhe aty nuk kishte asnjë të mbijetuar”, shkruhet në deklaratën e organizatës SOS Mesdhe.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re