Zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, njoftoi të enjten se siguria është vënë plotësisht në 70% të territoreve të distriktit veriperëndimor Afrin të Sirisë si rezultat i operacionit “Dega e Ullirit” dhe se Turqia pret që qendra e qytetit të spastrohet nga terroristët shumë shpejt.

Duke folur në një intervistë të drejtpërdrejtë në kanalin informativ “TRT Haber”, Kalin deklaroi se terroristët e YPG-së, fraksioni sirian i organizatës separatiste terroriste PKK, kishin në plan që ta kthenin Afrinin në një tjetër version të Kandilit, bazë e grupit terrorist në Irak, por një kërcënim i tillë është eliminuar plotësisht me operacionin “Dega e Ullirit”.

“Rrethi është ngushtuar shumë për terroristët. Ne parashikojmë që edhe qendra e Afrinit do të spastrohet plotësisht nga terroristët brenda një kohe mjaft të shkurtër”, theksoi zëdhënësi Kalin.

Ai vuri në dukje se mbi 150.000 njerëz janë kthyer në zonat e çliruara nga pushtimi i organizatës terroriste DAESH me operacionin “Mburoja e Eufratit” në veri të Sirisë dhe se një kthim i tillë nuk ishte vërejtur kurrë më parë në asnjë zonë të Sirisë pas përfundimit të luftimeve.

“Vendasit nuk kthehen në zonat e kontrolluara nga YPG-ja, as në Menbixh, Tal Abyad apo Ayn al-Arab (Kobani)”, shtoi Kalin.

Zëdhënësi presidencial bëri me dije gjithashtu se Turqia nuk ka ndërmend t’ia dorëzojë Afrinin regjimit të Esadit pasi operacioni “Dega e Ullirit” të përfundojë.

Forcat e Armatosura të Turqisë nisën ofensivën ushtarake në fjalë më datë 20 janar për të garantuar sigurinë e stabilitetin në kufij dhe Afrin të Sirisë, për të asnjanësuar anëtarët e PKK/KCK/PYD-YPG dhe DAESH-it, si dhe për të shpëtuar popullatën miqësore e vëllazërore të rajonit nga represioni dhe persekutimi i organizatave terroriste.

Ibrahim Kalin u ndal edhe mbi çështjen e Menbixhit duke thënë se marrëveshja e SHBA-Turqi është ende detyruese.

“Marrëveshja nuk do të ndryshojë për shkak të ndryshimit të sekretarit amerikan të Shtetit”, tha ai duke iu referuar vendimit të Presidentit Donald Trump për të zëvendësuar Rex Tillersonin me drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo.

Megjithatë ai vuri në dukje se Pompeo nuk është i informuar mirë për këtë çështje dhe do të duhen 1 apo 2 javë që ai të zotërojë plotësisht hartën rrugore për Menbixhin.

Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord që të mbikëqyrin tërheqjen e terroristëve të YPG-së nga Menbixhi dhe të ndërtojnë një mekanizëm të përbashkët për vendosjen e sigurisë pas largimit të terroristëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re