Kaliningradi, territori rus që ndodhet në bregun e Detit Baltik midis Lituanisë dhe Polonisë dhe nuk lidhet përmes tokës me Rusinë, shkaktoi një krizë të re për shkak të vendndodhjes së saj.

Vendimi i Lituanisë për të bllokuar transitin e disa mallrave që gjenden në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE) drejt Kaliningradit përmes territorit të saj, ka sjellë sërish Rusinë dhe Perëndimin ballë për ballë në vazhdën e luftës Ukrainë-Rusi që po vazhdon prej 4 muajsh.

Ndërsa Rusia mund të arrijë territorin e saj Kaliningradin nëpërmjet hekurudhës përmes Lituanisë, zona e rrethuar nga anëtarët e NATO-s në Detin Baltik ka qenë qendra e mosmarrëveshjeve të ndërsjella ditët e fundit.

Kaliningradi ishte në qendër të një prej sanksioneve të vendosura nga BE-ja ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, ndërkohë që mundësia që kriza në rajonin “kyç” për shkak të vendndodhjes së tij gjeografike të shndërrohet në konflikt ka krijuar shqetësime.

Me tensionet e fundit, Kaliningradi, i cili ishte territor i Gjermanisë deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, kujtoi se sa i rëndësishëm është në aspektin strategjik.

– Vendimi i Lituanisë për të bllokuar transitin

Duke njoftuar bllokimin e transitit javën e kaluar, ministri i Punëve të Jashtme i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, tha se vendi nuk bëri asgjë në emër të tij.

“Ajo që u bë u bë nën drejtimin e Komisionit Evropian. Gjithçka është vazhdim i sanksioneve të BE-së që janë në fuqi që nga 17 qershori”, deklaroi ai.

Edhe BE-ja e mbështeti këtë deklaratë të Lituanisë, e cila është anëtare e bllokut evropian dhe NATO-s, dhe konfirmoi se bllokimi për në Kaliningrad ishte pjesë e sanksioneve të vendosura si rezultat i luftës Ukrainë-Rusi.

Në listën e sanksioneve u njoftua se bënin pjesë qymyri, metali, materialet e ndërtimit dhe teknologjisë.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, shprehu mbështetje për Lituaninë.

“Një sulm ndaj një anëtari të NATO-s do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithë anëtarëve”, tha ai.

– Reagim kërcënues nga Rusia

Ka pasur deklarata të njëpasnjëshme nga Rusia në lidhje me vendimin për bllokim.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë ruse, Nikolai Patrushev, deklaroi se vendimi i Lituanisë për Kaliningradin ishte “armiqësor”, duke shtuar: “Do të ketë përgjigje të shpejtë ndaj vendimit të Lituanisë. Përgjigja jonë do të jetë serioze dhe e prekshme për popullin lituanez”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Kremlinit Dmitriy Peskov, situatën e ka quajtur “jashtëzakonisht serioze”.

“Është një çështje që kërkon analizë të thellë përpara se të merret një vendim. Do të duhen disa ditë për të bërë këtë analizë”, është shprehur ai.

Ndërsa Sekretari rus i Sigurisë Kombëtare njoftoi se do të vendosin sanksione kundër Lituanisë, një notë proteste iu dha të ngarkuarit me punë të Lituanisë, i cili u thirr në Ministrinë e Jashtme të Rusisë.

Një tjetër karakteristikë e rëndësishme e Kaliningradit, territori rus “brenda” BE-së, është se flota ruse e Detit Baltik dhe trupat ruse janë të dislokuara në rajon së bashku me sistemin e raketave balistike të tipit “Iskander”.

Moska deklaroi se në maj kryen stërvitje me raketa me aftësi bërthamore në bazat e tyre ushtarake pranë Kaliningradit.

Duke marrë parasysh zhvillimet, mbetet kuriozitet hapi që do të ndërmarrë Rusia, e cila mund të arrijë në Kaliningrad nga ujërat ndërkombëtarë apo vendet që nuk ia kanë mbyllur hapësirën ajrore.

– Pse është i rëndësishëm Kaliningradi?

Kaliningradi karakterizohet si eksklavë e Rusisë.

I rrethuar nga Lituania në veri dhe lindje dhe Polonia në jug, territori mbulon një sipërfaqe prej 15 mijë kilometrash katrorë. Ka afërsisht 1 milion banorë, disa prej të cilëve janë gjermanë, por shumica rusë.

Ndërsa vendndodhja gjeografike e Kaliningradit ofron një avantazh për Rusinë si strategjikisht ashtu edhe ushtarakisht, rajoni cilësohet gjithashtu si “porti i vetëm i Rusisë në Detin Baltik që është pa akull gjatë gjithë vitit”.

Nga njëra anë, Rusia vendos raketa me aftësi bërthamore në mes të vendeve të BE-së, në Kaliningrad, e nga ana tjetër, rajoni ndodhet në mes të Polonisë dhe Lituanisë, anëtarëve të BE-së dhe NATO-s.

Në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Madrid, kryeqytetin e Spanjës, do të diskutohet edhe shndërrimi i papritur Kaliningradit në një qendër krize, meqenëse deri më tani nuk ka qenë në fokus.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re