Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari ka kallëzuar për shpifje rivalin e tij në zgjedhjet lokale të 14 majit, Lefter Maliqin. Ky i fundit është paraqitur këtë të hënë në Gjykatën e Shkallës së Parë Berat. Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkin e Kuçovës në zgjedhjet vendore të këtij viti, paditi në SPAK, Kreshnik Hajdarin lidhur me një rrugë të fshatit Frashër në Kuçovë, ku sipas tij banorët kanë deklaruar se kanë paguar në Bashkinë e Kuçovës rreth 20 mijë paund për ndërtimin e rrugës së fshatit, që nuk u ndërtua kurrë.

Maliqi e konsideroi absurd thirrjen e tij nga gjykata, duke argumentuar se kryebashkiaku i Kuçovës është nën hetim nga SPAK lidhur me këtë çështje e disa të tjera.

“Unë e respektoj ligjin dhe do paraqitem për të dhënë deklaratat e mia sa herë që të më kërkohët por kjo çështje nuk mund të shqyrtohet në të njëjtën kohë nga dy gjykata,ashtu sikurse ja kam bërë të ditur sot gjyqtares së Beratit.Në lidhje me këtë çështje që jam thirrur sot në Gjykatën e Beratit-ka thënë Maliqi-kanë qënë vetë banorët e fshatit Frashër që kanë denoncuar në media se djemtë e tyre që jetojnë në Angli kanë paguar në bashki rreth 20 mijë paund për ndërtimin e rrugës së fshatit dhe rruga nuk u bë asnjëherë”, tha ai.

Nga Berati, Lefter Maliqi ka deklaruar se beteja e tij me kryebashkiakun e Kuçovës do të vazhdojë në SPAK, ku ai do të japë llogari për akuzat ndaj tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re