Pas kallëzimi të depozituar ditën e sotme në SPAK nga Nisma Thurje, Endri Shabani sqaroi në News24 se arsyeja pse u bë pikërisht tani ky denoncim ndaj ish ministres se Bujqesise Frida Krifca.

Sipas Shabanit kallzimi SPAK u be ne nje kohe qe po pritej zbardhja e raportit përfundimtar të zyrës së BE-së për anti-korrupsion.

Shabani thekson se kërkon nga SPAK që të hetohet se çfarë është bërë me shumën prej 23 milionë eurosh, pjesë e taksave të qytetarëve shqiptarë, e cila supozohej të shkonte për fermerët.

“Ne prisnim raportin përfundimtar të zyrës së BE-së për antikorrupsion, OLAF, i cili ka dalë javës së kaluar.

Ne duam që SPAK të hetojë çfarë është bërë me fondet e BE-së. Ka një program të ndihmës të anëtarësimit, IPARD, i cili do të jetë rreth 140 mln euro. Deri tani janë shpërndarë gjysma, për të cilat BE ka konstatuar se janë abuzuar. Në vend që të shkonin për fermerët, peshkatarët, kanë shkuar tek oligarkë që ndërtojnë vila, hotele, restorante, janë shfokusuar drejt njerëzve të cilët nuk duhet të ishin subjekte. Tani, nga 71 milionë euro që janë, 23 milionë janë taksa tona. Ne i kërkojmë SPAK të bëjë një hetim të plotë. Ne na duhet të hetohet se çfarë është bërë dhe me kto 23 mln eurot e tjera.

Ka raste të denoncuara në media ku individë që duhet të ishin kualifikuar nga AZHBR, nuk janë kualifikuar dhe janë kualifikuar të tjerë që sot u kërkohet të kthejnë paratë. Ne duam të dimë çfarë është bërë me lekët tona dhe çfarë është bërë me fondin e BE-së. Mund të ketë një vendim të BE-së për të na lënë jashtë ndihmës. Duhet vendosur një precedent që kushdo që e merr peng integrimin e Shqipërisë në BE nuk mund ta bëjë pa i hyrë gjemb në këmbë.”

I pyetur se cila do të jetë çështja e radhës, Shabani lajmëroi se ditë pas dite do të zbulojnë edhe 5 dosjet e tjera për të cilat po punon.

“Ne po përgatisim 5 dosje, padyshim që do t’i zbërthejmë ditë pas dite.”, tha Shabani.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re